E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda dy javësh 60 intervenime të zjarrfikësve

Gjilan, 26 gusht - Gjatë dy javëve të fundit, në komunën e Gjilanit, janë shënuar 60 intervenime të zjarrfikësve në shuarjen e zjarreve të ndryshme, të cilat nuk kanë qenë tepër shqetësuese, thanë të enjten pasdite udhëheqës të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).

Zyrtarët e kësaj drejtorie dhe ata të policisë rajonale, njofton KosovaLive, apeluan tek qytetarët, për kujdes të shtuar me rastin e zjarreve dhe paralajmëruar masa ndëshkuese ligjore, ndaj tyre që zihen duke ndezur zjarre.

Blerton Ajeti, drejtori DMSH-së, tha se gjatë dy javëve të fundit ka pasur shtim të numrit të zjarreve në komunën e Gjilanit, kjo si pasojë e ngritjes së temperaturave dhe pakujdesisë së qytetarëve me rastin e ndezjes së zjarreve.

“Deri tani në komunë e Gjilanit nuk janë shënuar zjarre të karakterit shqetësues, pasi zjarret kishin të bënin me djegie të hamulloreve dhe mbeturinave”, tha drejtori Ajeti i cili lavdëroi punë e Brigadës së Zjarrfikësve në Gjilan.

Ai tha se në disa raste zjarri i hamulloreve është përhapur nëpër fusha duke shkaktuar disa dëme, por zjarrfikësit gjithnjë ka qenë në krye të detyrës.

Ajeti tha se gjatë dy javëve të fundit, ka pasur 60 intervenime nga shërbimi i zjarrfikësve dhe Shpëtimit. Ai tha se vetë qytetarët po i lajmërojnë zjarret që në fazën fillestare, duke lehtësuar kështu punën e zjarrfikësve. Ai tha se deri tani pos dy rasteve të vogla, në Gjilan nuk ka pasur djegie apo dëmtime të pyjeve nga zjarret.

Në emër të institucioneve komunale, drejtori Ajeti, apeloi tek qytetarët për kujdes shumë më të madh sidomos gjatë kohës kur janë në piknik dhe fermerët që të mos ndezin hamulloret.

Edhe policia ka porositur apelin e njëjtë për qytetarët, duke u përkujtuar atyre se gjithë ata që zihen duke ndezur zjarre do të përballen me drejtësinë, siç ka ndodhur me rastet e fundit në Gjilan.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›