E Diel, 1 Nëntor 2026

Një serb gjendet i vdekur në shtëpinë e tij

Mitrovicë, 26 gusaht - Policia rajonale në Mitrovicë, konfirmoi të enjten se Cvetkovic M. 78 vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në rrugën “Anke Spajiq”, në veri të Mitrovicës, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri në kokë, derisa në Vushtrri, dy të rinj plagosen me armë zjarri.

Marrë parasysh rrethanat në të cilat është regjistruar rasti, njofton KosovaLive, policia ka njoftuar prokurorin publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë i cili ka autorizuar hetuesit e policisë së Kosovës së bashku me teknikët e kriminalistikës, të bëjnë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe inicimin e hetimit të rastit për të sqaruar rrethanat e rastit të paraqitur.

Bazuar në raportet e hetuesve policor, në vend të ngjarjes nuk janë identifikuar gjurmë të përdorimit të dhunës apo elemente tjera që do të karakterizonin rastin si vepër penale.

Në vend ngjarje, hetuesit policorë kanë marrë si pjesë të provave materiale pushkën M-48, me të cilën besohet të ketë qenë kryer akti, si dhe një letër përshëndetëse me fjalët e shkruara nga i vetëvrari.

Rasti është kualifikuar si vetëvrasje klasike e parapërgatitur nga viktima ndërsa trupi i pajetë i tij, i është dorëzuar familjarëve të tij.

Ndërkaq, në komunën e Vushtrrisë, sipas policisë, dy persona, 25 dhe 29 vjeç, të përkatësisë etnike shqiptare, janë plagosur me armë zjarri.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur të mërkurën rreth orës 18:00, në rrugën “Ueslli Kllark” përkatësisht në afërsi të stacionit të vjetër të autobusëve, ndërsa një i dyshuar besohet të ketë shtënë së paku katër herë në drejtim të viktimave.

Të plagosurit, banorë të komunës së Vushtrrisë, janë dërguar në qendrën emergjente në Vushtrri dhe më pas janë transferuar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor. Njëri ka pranuar dy plumba në këmbë ndërsa tjetri dy plumba në stomak.

Në vend ngjarje, teknikët e kriminalistikës dhe hetuesit policor kanë gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale, katër gëzhoja, një plumb dhe një predhë të kalibrit 7.62mm.

I dyshuari 33 vjeçar, i cili fillimisht ishte arratisur nga vendi i ngjarjes, i është vetë dorëzuar policisë së Kosovës ndërsa arma, një pistoletë “TT”, 7.62 mm, e cila besohet të ketë qenë përdorur në këtë rast, i është marrë të dyshuarit të këtij rasti.

Ndaj të dyshuarit të arrestuar, është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë me autorizim të prokurorit publik.

Hetuesit policorë besojnë, se rasti i plagosjes së dyfishtë të cilit i kishte paraprirë një përleshje fizike, është i motivuar mbi mosmarrëveshjet në mes palëve rreth një borxhi të hollash.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›