Brenda dy muajsh 722 vatra zjarri

TIRANË - Sipërfaqja pyjore prej 7 ha e shkrumbuar dje në rrethin e Kukësit, i shtohet listës së gjatë të zjarreve të shumtë të kësaj vere. Shifra alarmante të dhëna nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Emergjencave në Ministrinë e Brendshme bëjnë të ditur se vetëm në periudhën korrik-gusht regjistrohen 722 vatra zjarri, fatmirësisht pa dëme në njerëz, por me dëme të mëdha në ullinj dhe shkurre. Nga i gjithë numri mësohet se 60 për qind e tyre janë nga pakujdesia dhe 40 për qind mësohet të jenë vënë qëllimisht. Sipas të njëjtave burime, mësohet se numri i personave që janë ndaluar për zjarrvënie të qëllimshme kap shifrën 29.
Zonat problematike
Ndër zonat më të goditura është ajo e Beratit, Delvinës, Fierit dhe Sarandës. “Ajo çka mbetet e rëndësishme është fakti që, fatmirësisht, nuk janë dëmtuar parqe kombëtare”, - thonë burimet. Në zonat më të dëmtuara ngelen rreth 8 ha ullishte në Berat, ndërsa në Delvinë rreth 118 ha shkurre. Burimet vënë theksin tek ndihma e dhënë nga homologët e shteteve fqinje. “Është kërkuar ndihmë nga Greqia dhe na kanë ardhur në ndihmë pesë herë, kryesisht në Himarë, Delvinë, Gjirokastër dhe Korçë. Gjithashtu jemi ndihmuar në raste edhe nga shteti italian”. Ndërkohë që numri i banesave të përfshira nga flakët arrin në 15, duke numëruar rastet në të gjithë vendin.
Shkaqet
Specialistët numërojnë tre shkaqe kryesore që çojnë në flakë. Flakë të qëllimshme të shkaktuara nga dora e njeriut, temperaturat tepër të larta të stinës dhe një tjetër faktor klimaterik është ai i mungesës së shirave. “Thatësira dhe mungesa e reshjeve shkaktojnë numrin më të madh të zjarreve. Për të mos lënë pas edhe zjarret nga pakujdesia apo rastet kur pyjet ndizen qëllimisht”, - thonë burimet. Mungesa e reshjeve në muajt e nxehtë të verës dhe temperaturat e larta kanë ndikuar në shtimin e zjarreve. Qysh në ditën e parë të kësaj jave, zjarret dogjën rreth 10 hektarë pyje me shkurre në Himarë. Zjarre pati edhe në territorin e Delvinës dhe të Gjirokastrës.
Problemet
Nga e gjithë situata shqetësuese, problematike ngelet mungesa e mjeteve të zjarrfikëseve dhe terreni i vështirë ku janë vatrat në të shumtën e rasteve. Teknikat e vjetra për shuarjen e flakëve dhe terreni i vështirë ngelen dy problemet më kryesore. Dhënia e fondeve për blerjen e makinerive të reja dhe përgatitja e shërbimit zjarrfikës për përballimin sa më të mirë të situatës ngelen parësore në marrjen e masave që duhet të zbatohen sa më parë. Gjithashtu, mungesa e metodës së shuarjes së flakëve nga ajri, që aplikohet kryesisht në zonat me terrene të vështirë, ngelet një tjetër mangësi.
Zjarret më të fundit
25 gusht
KUKËS - Dy vatra zjarri shkatërruan 7 ha sipërfaqe pyjore në rrethin e Kukësit. Sipas Ndërmarrjes së Shfrytëzimit Pyjor, vatrat e zjarrit ranë në masivet pyjore të Pistës dhe në zonën e Lusnës. Zjarri në masivet pyjore të Pistës është vënë nën kontroll në mesnatën e së dielës. Flakët kanë shkrumbuar një sipërfaqe prej 4 hektarësh sipërfaqe pyjore, ndërsa në zonën e Lusnës janë djegur 3 ha sipërfaqe pyjore. Vitin e kaluar në këtë periudhë nga zjarret që përfshinë masivet pyjore të rrethit u dogjën 1002 hektarë pyje dhe u përshkuan nga zjarri mbi 5200 ha.
24 gusht
TIRANË - Pakujdesia dogji rreth 1 hektar pyll me mimoza dhe shkurre në kodrat e Linzës. Flakët e para të zjarrit u panë rreth orës 10:30 të paradites dhe në vendin e ngjarjes arritën menjëherë forcat policore të Komisariatit Nr. 4, të cilat nisën direkt punën me mjete rrethanore. Ndërsa për zjarrfikëset, terreni i vështirë dhe i pakalueshëm e bëri pothuajse të pamundur punën e tyre. Pas tri orësh përpjekje të policisë dhe banorëve për shuarjen e zjarrit, në ndihmë shkuan shërbimet e ushtrisë. Pas afro katër orësh përpjekje të policisë, ushtrisë, banorëve dhe zjarrfikësve, vatrat e zjarrit u shuan. Temperaturat e larta ose pakujdesia e ndonjë bariu të zonës u thanë se mund të ishin shkaktarët e mundshëm.
23 gusht
Dy vatra të reja zjarresh janë shënuar gjatë 48 orëve të fundit në qarkun e Shkodrës. Një zjarr në lagjen “Culaj” të qytetit të Koplikut dëmtoi rëndë linjën telefonike dhe rrjetin e ujësjellësit. Flakët e zjarrit të cilat ranë fillimisht në shkurre dhe mbeturina, u favorizuan më pas nga era dhe nga temperaturat e larta, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme. Ndërkohë, një sipërfaqe prej rreth 3 mijë metrash katrorë shkurre u shkrumbua në afërsi të fshatit Beltojë. Zjarri ka përfshirë shkurre dhe barishte të thata në afërsi të ish-magazinave të mëndafshit në këtë fshat të komunës së Bërdicës. Sipas policisë, zjarri u shkaktua nga pakujdesia e një fëmije.