E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dihej puna e Metës

Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, thotë se ishte e qartë që LSI-ja e ish-kryeministrit Ilir Meta kishte vendosur të dilte e vetme në zgjedhje dhe se nuk ka argumentim për kundërshtimin e saj ndaj mundësive të bashkëpunimit me PS-në. Sakaq, Petrit Vasili, sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, thotë se koalicionet e përbëra janë thjesht dhe vetëm një shpikje absurde manipulative e atyre që nuk konkurrojnë dot ndershmërisht, hapur dhe pastër

Partia Socialiste deklaroi dje, se qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për të mos qenë pjesë e të njëjtit koalicion me PS-së, ishte i përcaktuar përpara se të hidhej ideja e koalicionit të përbërë. Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha dje se deklaratat e Ilir Metës janë vetëm një pretekst. Sipas tij, përgjigjja e LSI-së u artikulua në kundërshtim me çdo normë etike dialogu politik, përmes medias e jo nga personat e mandatuar të kësaj force politike për të negociuar. “Argumentet e zotit Meta për çështjet e trajtuara ishin më shumë pretekste për të justifikuar një vendim politik të marrë prej tij, sesa argumente parimore e profesionale në funksion të dialogut të hapur. Ndërsa publiku dhe veçanërisht opozita vlerëson faktin e vendosjes së këtij dialogu politik, z. Meta nxitoi që publikisht të shpallte kundërshtimin e tij dhe faktin që ai nuk do të ishte pjesë e koalicionit me PS-në dhe partitë e tjera të opozitës. Ky ishte mesazhi që priste të dëgjonte z. Berisha”, - deklaroi Xhafaj. Sipas tij, këto qëndrime nuk janë pjesë e gjuhës së komunikimit që presin të dëgjojnë shumica e shqiptarëve, të cilët presin rrëzimin e qeverisë së djathtë. Gjithsesi, socialistët mbeten të hapur për dialog e mirëkuptim me të gjitha forcat politike. Por për partinë më të madhe opozitare kodi ka qenë dhe do të jetë produkt i konsensusit politik, dhe jo produkt i pazarit politik të radhës. Por në kundërshtim me Xhafajn, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi për “Korrierin”, se LSI-ja nuk luan me votën e shqiptarëve. “LSI-ja nuk do të bëhet asnjëherë dhe për asnjë arsye pjesë e marifeteve manipulative me kodin zgjedhor. Nuk ka dhe nuk do të ketë bashkëpunim për marifete që prodhojnë mashtrime, deformime dhe përçudnime elektorale. LSI-ja do të bashkëpunojë vetëm për realizimin e standardeve evropiane të zgjedhjeve, dhe kurrën e kurrës për prishjen e asgjësimin e tyre. Koalicionet e përbëra janë thjesht dhe vetëm një shpikje absurde manipulative e atyre që nuk konkurrojnë dot ndershmërisht, hapur dhe pastër”, - tha ai, duke kundërshtuar sërish idenë e koalicionit të përbërë. Në të kundërt, Xhafaj sqaron se socialistët do ta çojnë deri në fund reformën zgjedhore, por pa deformime dhe arnime “allashqiptarçe”. Ai shtoi se koalicioni i përbërë është fundi i pazareve paraelektorale dhe vendosja e vullnetit të elektoratit në qendrën e gravitetit zgjedhor. “Është një mënyrë që lejon atë model koalicioni, nëpërmjet të cilit bëjnë që populli votues të zgjedhë alternativën mes të majtës e të djathtës, progresives dhe regresives, të ardhmes apo të shkuarës, politikës së re dhe politikës së vjetër”, - shtoi ish-ministri i Drejtësisë. Në procesin e hartimit të kodit të ri zgjedhor socialistët do të synojnë miratimin e një ligji të ri sipas standardeve bashkëkohore, i cili garanton votim të lirë dhe të drejtë, njëkohësisht përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve e të institucioneve zgjedhore. Po ashtu do të kërkohet të garantohet transparenca për financimin e fushatave elektorale, sigurimin përfundimtar të listave të zgjedhësve dhe identifikim të qartë të tyre, por dhe sigurimin e barazisë në përdorimin e medias në fushatat elektorale. Çdo diskutim i kundër për partinë më të madhe opozitare do të ishte veçse pazari i radhës.

Data e zgjedhjeve, kompetencë e presidentit

Partia Socialiste theksoi dje faktin, se të drejtën për caktimin e datës së zgjedhjeve e ka vetëm Presidenti i Republikës. Fatmir Xhafaj sqaroi dje, se në komisionin parlamentar është përcaktuar periudha zgjedhore. “Në rastin konkret, periudha zgjedhore është mars-qershori, periudha pararendëse, sepse kuvendit aktual i mbaron mandati më 3 shtator. Pra, periudha zgjedhore pararendëse për zgjedhjet e ardhshme është 15 mars - 30 qershor. Data është kompetencë e Presidentit të Republikës”, - deklaroi Xhafaj. Sipas tij, ky fakt është përcaktuar në ndryshimet e reja kushtetuese, po ashtu edhe në rregullimin ligjor, që tashmë ka kaluar në komisionin parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›