E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplanti i veshkave sallat skanë kushte, në dilemë transplanti

Me sytë nga fondi i qeverisë italiane. Shefi i Nefrologjisë, Nestor Thereska, tha se problemi në sallën e transplanteve po rregullohet dhe stafi mjekësor është thuajse gati. Sipas tij gjithçka është OK

TIRANË - “Transplanti i veshkave do të fillojë brenda datës së caktuar”. Kështu tha për “Korrierin” shefi i Nefrologisë dhe Transplantit, Nestor Thereska, pavarësisht vërejtjeve të stafit mjekësor italian për mungesën e standardeve dhe të cilësisë së ajrit në sallat ku do të kryhen transplantet. Sipas Thereskës janë marrë të gjitha masat për plotësimin e këtyre standardeve. Pas vëzhgimit të sallave të operacionit, mjekët italianë u shprehën se këto salla nuk ishin akoma gati për kryerjen e transplanteve, pasi sistemi i ajrit në to nuk i plotësonte kushtet e nevojshme të një salle transplanti. “Janë marrë masat e menjëhershme për riparimin e këtij defekti dhe kjo nuk do të përbëjë asnjë lloj problemi në përfundimin me sukses të projektit”, tha Thereska. Ai shtoi se “sallat ku do të kryhen këto operacione janë drejt përfundimit dhe brenda një kohe të shkurtër do të jenë gati për të pritur pacientët e parë. Këta pacientë do të jenë edhe të parët që do të bëjnë transplantin e veshkave në një spital shqiptar”. Thereska tha se pritet një fond që do të jepet nga qeveria italiane, i cili do të shërbejë për përfundimin e punës. “Realizimi i këtij projekti, trajnimi i mjekëve shqiptarë, pajisjet mjekësore dhe ndërtimi i sallave të operacionit mbulohet nga ana e qeverisë italiane, kostoja totale e së cilave është dy milionë euro”, shpjegoi Thereska. Vendi i sallave të operacionit për transplantin e veshkave do të jetë salla e Urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas Thereskës, këto salla do të pajisen me të gjithë arsenalin e nevojshëm mjekësor që nevojitet për kryerjen e këtyre transplanteve dhe defektet teknike, të cilat nuk përbëjnë asgjë të jashtëzakonshme dhe nuk do ta vonojnë aspak realizimin e projektit. Gjithashtu, edhe stafi i mjekëve shqiptarë që do të kryejë transplantet është tashmë pothuajse gati. “Procedurat për përgatitjen e mjekëve shqiptarë që do të kryejnë këto transplante kanë shkuar shumë mirë. Tani ata janë gati për kryerjen e operacioneve të tilla dhe brenda një kohe të shkurtër do të mund të transplantojnë edhe pa asistencën e specialistëve italianë”, tha shefi i Nefrologjisë. Në Shqipëri një numër jo i vogël pacientësh të prekur nga sëmundja e veshkave i nënshtrohen dializës. Numri i këtyre pacientëve shkon deri në 180 dhe transplanti i veshkave është jetësor për këta të sëmurë. “Vlen të përmendet se pacientët nuk do të paguajnë asnjë lek për kryerjen e transplantit, pasi ky shërbim do të mbulohet i gjithi nga shteti”, u shpreh Thereska. Pas kryerjes me sukses të transplantit të dytë në spitalin e Barit, në Itali, mjekët shqiptarë nën asistencën e atyre italianë, pritet të kryejnë në shtator transplantin e tretë. Kur të kryhet edhe transplanti i tretë, sipas Thereskës, këto ndërhyrje do të realizohen në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Koha kur këto operacione pritet të fillojnë të kryhen në spitalet shqiptare mendohet të jetë muaji tetor. Sipas shefit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, “data përfundimtare kur sallat e operacionit në spitalin “Nënë Tereza” do të jenë gati për kryerjen e transplanteve të veshkave, pritet të jetë fundi i tetorit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›