E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda vitit 50 % e shkollave me internet

Autori i Lajmit: red.
Brenda këtij viti synohet që interneti të shtrihet në 50 për qind të shkollave të rrethit të Kukësit. Drejtori rajonal i arsimit, Ibsen Elezi, tha dje se "deri në dhjetor do të pajisen me kabinete informatike e internet 50 për qind e shkollave të rrethit, nga 12 shkolla ku aktualisht funksionon interneti, ndërsa parashikohet që brenda këtij viti shkollor, interneti të shtrihet në rreth 80 për qind të shkollave të rrethit". Ai sqaroi se për realizimin e këtij objektivi puna ka nisur prej kohësh dhe se gjatë muajit gusht janë organizuar edhe trajnime me mësuesit e shkollave të mesme, të cilët kanë marrë edhe dëshmitë për këtë trajnim. Elezi tha gjithashtu se drejtoria rajonale e arsimit ka një bashkëpunim të ngushtë me KESH-in që të mundësojë furnizimin e shkollave me energji elektrike në mënyrë të vazhdueshme. Në rrethin e Kukësit tashmë funksionojnë kabinetet e kompjuterave dhe internetit në shkollat e qytetit si dhe në shkollat e fshatrave Shishtavec e Zapod, ndërsa brenda këtij viti këto kabinete parashikohet të ngrihen në të gjitha shkollat e mesme të rrethit, si dhe në afro 30 shkolla të arsimit 9-vjeçar. "Procesi i kompjuterizimit edhe mund të përshpejtohet, pasi Ministria e Arsimit ka sasinë e nevojshme të kompjuterave për ngritjen e kabineteve në çdo shkollë, por problem është kostoja e madhe e ngritjes së tyre në shkollat e zonave rurale me numër të kufizuar nxënësish, ku duhet investuar edhe për trajnimin e specialistëve", - tha Elezi.

Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›