E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët që s dëgjojnë, test parandalues për 25 mijë bebe

Autori i Lajmit: red.
Studimet e kryera në Shqipëri tregojnë se në çdo 1 000 të lindur, 1 është hipoakustik. Mjekët shpjegojnë se arsyet mund të vijnë që nga moskontrolli i plotë i shtatzënisë dhe përdorimi pa kriter i barnave ototoksike në shtatzëni e më tej në moshën fëminore. Në vendin tonë lindin rreth 45.000 fëmijë në vit, prej të cilëve mbi 9.000 vetëm në Tiranë. Ndaj vëmendja për të parandaluar rreziqet, mendohet të kushtohet në vendet me numër të madh lindjesh. Burime nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë se do të diagnostikohen rreth 25 mijë të porsalindur për të parë nëse janë hipoakustikë(nivele të ulëta të dëgjimit, deri në shurdhëri). Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për aftësinë e dëgjimit të fëmijëve. Përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti do të jenë rreth 25 mijë të porsalindur në vit, të cilët do t`u nënshtrohen ekzaminimeve diagnostikuese për shurdhërinë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të diagnostikohet në fazë të hershme shurdhëria fëminore përmes testimit neonatal. Kjo si fillim do të kryhet pranë strukturave shëndetësore të qyteteve kryesore, si Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër. Fëmijëve do t`u vendosen proteza (dëgjimi) dhe do të filllojnë të ndjekin një program reabilitues të përshtatshëm. Ministrja e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, Anila Godo, dhe Xhanfranko Jakuci, koordinator i projektit MAGIS (Lëvizja dhe Veprimi i Jezuitëve Italianë për Zhvillim) në Itali, nënshkruan dje në Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mjekësisë, pikërisht për fëmijët që nuk dëgjojnë. Përfaqësues të MSH-së dhe projektit MAGIS theksuan se “ky bashkëpunim do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve shqiptarë dhe në të ardhmen do ta zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e shëndetit si dhe do të nxisim shkëmbimet e ndërsjella të eksperiencës së dy vendeve. Kjo marrëveshje synon të reduktojë handikapin që vjen si rrjedhojë e paaftësisë së dëgjimit të fëmijëve shqiptarë nëpërmjet diagnostikimit në mënyrë të hershme të shurdhërisë fëminore.

Jetimoret
“Traumatizohen që në bark të nënës”

Që në pamje të parë, nga vështrimi dhe mënyra se si mbahen, mund të dallosh se disa nga fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës kanë prapambetje mendore (nuk dëgjojnë, nuk flasin apo kanë probleme mendore). Drejtoresha Jonida Çarushi pranon se në jetimore pranohen edhe fëmijë të tillë, që kanë prapambetje të lehtë mendore, pasi mendohet se, po të çoheshin në qendrat e zhvillimit ku mbahen fëmijët me probleme mendore, do të agravoheshin (rëndoheshin) më tepër, ndërsa mjedisi i shtëpisë së fëmijës është më pozitiv për ecurinë e tyre. Pyetjes pse kaq dendur nëpër jetimore hasen raste të tilla fëmijësh me prapambetje mendore, drejtoresha Çarushi i përgjigjet: “Janë fëmijë të dëmtuar emocionalisht që në foshnjëri, fëmijë të traumatizuar dhe traumat e fëminisë shpesh janë të pakthyeshme”. Pediatria e Zhvillimit Mendor, Engjëllushe Kuzumi, pohon gjithashtu: “Një pjesë e fëmijëve jetimë kanë përjetuar trauma që në bark të nënës. Ata janë dëmtuar emocionalisht, mendërisht dhe fizikisht, në përpjekjet për t i abortuar “spontanisht”, dhe këtë lloj dhune e vuajnë gjithë jetën. E dyta, janë fëmijë të rritur në ambiente pa dashuri dhe kujdes, gjë që shkakton probleme në zhvillimin e inteligjencës së tyre”.

Birësimi
“Të huajt birësojnë edhe fëmijë hipoakustikë”

Sipas pohimeve nga Shtëpitë e Fëmijës në kryeqytet, mësohet se institucionalizimi i fëmijëve ka qenë gjithnjë një problem. Punonjëset shprehen se ky fakt nuk ndikon pozitivisht mbi ta dhe mbi të ardhmen e tyre, pasi institucionet asnjëherë nuk janë mjedisi më i përshtatshëm për rritjen e një fëmije. “Kështu që ne bëjmë përpjekje për t i rikthyer këta fëmijë tek familjet e tyre biologjike dhe, në rastin kur nuk kanë prindër, përpiqemi t u gjejmë një familje birësuese (në rastet e tjera nuk lejohet birësimi, pasi nëna apo prindi që ka kujdestarinë, në çdo kohë ka të drejtë të vijë dhe ta marrë fëmijën). Vetëm gjatë këtij viti, kemi çuar në Komisionin e Birësimit 5 dosje të fëmijëve mbi 10 vjeç dhe shpresojmë që atyre t u gjendet një familje. Dhe nuk kanë munguar rastet, kur fëmijë të tillë janë birësuar sidomos nga qytetarë të huaj, të cilët jo vetëm kanë kushtet ekonomike, por janë edhe pa komplekse. Ata kanë birësuar edhe kur kanë pasur fëmijë vetë, madje, kanë birësuar edhe fëmijë me probleme mendore”, - shprehen burimet.
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›