Brez i karaokes egzistenciale
Anmik i kitsch-it, Temali parapëlqen kurdo ma mirë vulgaren (pse vulgarja asht autentike siç dijmë prej Bodlerit) me rrëfye horrorin e përditshëm. Në këtë horror, ai dhe protagonistët e tij, janë, të vetëdijshëm, epikë të absurdit.
Nji pjesë e rinisë shqiptare të sotme, e sheh veten të ngujueme në këtë anije në mëshirë të rrjedhës që asht Shqipnia. Kjo anije e skërdejun, që tjetërkund ishte anija e leprozëve, dhe mandej u ba anija e të marrëve, asht ndër figurat ma të gjetuna për me pëshkrue jo vetëm izolimin e rinisë shqiptare në veçanti, por edhe izolimin e njeriut të ditëve tona.
Ky njeri, ose i ndjeri njeri, në këtë brez të cilit i përkasim porsi pengje, - ky njeri po thoshim, jeton në nji brez që e ka humbë dashninë. Fat-humbun e dashunihumbun, në agoninë e tij errcake ai kthehet në filozof të dhimbjes, i cili na pohon se kjo e jona, nuk asht aspak nji dhimbje filozofike, por asht nji dhimbje tradhëtare e absurdit. Asht dhimbja tradhëtare e jetës, ajo që na detyron të stolisim me gjak spektaklin që kënaq dikend ose askend tjetër.
Përsa i përket stilit të Temalit, duhet thanë se ai asht fragmentar por intelegjibël (këtu të dyja gjanat janë të lidhuna). Ai rrok atë çka asht esenciale te narracioni, dhe pikërisht prej zotnimit të kësaj magjie, nuk asht i primun me grumbullue rrethana mbi rrethana dhe ma ba roman.
A janë edhe filozofike këto tregime? Patjetër që po. Temali asht shum i dhanun mbas mendimit afabulant, dhe në këtë i ngjason tërthuer prozatorit Ridvan Dibra. Origjinaliteti i tij asht te guximi i tij stilistik, sinqeriteti i tij pa kompromis, dhe energjia narrative e krijimeve të tij.
Temali gjithashtu asht pjesë e asaj vazhde që e çliron përfundimisht letersinë tonë nga nacionalizmat dhe patetizmat, tue e ba atë konkuruese në nivele filozofike dhe estetike. Kësaj primje’ i bashkangjitet edhe futja e humorit të zi në letërsinë shqipe, zhanër që po lulëzon në mënyrë të papërmbajtshme në mbarë Lindjen Europiane.
Europianolindori i sotëm ndihet kurdoherë i gjykuem nga Perëndimi, por edhe i thirrun në kauzë për tana çashtjet e rinivelimit kulturor gjithëeuropian. Në këtë moment, shqiptarët, nji popullsi e lashtë e njiherit me moshën ma të re n’Europë, vazhdojnë të receptohen si sllavë të bastardhuem në rastin ma të mirë, dhe thjesht si barbarë “pa vorre” në rastin ma banal. Sidoqoftë, ata janë ende t’izoluem nga sfera e qytetnimit, dhe mbahen si popull pa klasë intelektuale. Të gjendun në nji paradoks këlthitës, psikologjia e tyne asht e minueme.
Pikërisht e minueme asht edhe psikiologjia e personazheve temalianë, njerz në zgrip për të cilët nji grip i thjeshtë mund të shndërrohet në problem egzistencial.
Nji rini e dënueme me mungesën e iluzionit, ose luksit të çdo rinie. Por e dënueme edhe me diktatin e mitit. Nji rini për të cilën monotonia bahet teologjia, kurse banaliteti lëkurë shagreni. Në këtë klimë, asht e natyrshme që nji shkrimtari t’i vijnë ndoresh absurdi, në nji kohë kur njifarë rinie “europiane” harbon në pornokraci. Patafizika bahet burim sherri egzistencial të përhershëm, llaçi i rrugëve bahet institucioni kafkjan që mban të bashkangjituna tana fatet personale dhe përvojat jetësore.
Tue lexue Temalin kuptojmë se nuk ka gja ma patetike dhe skandaloze, se njeriu i lanun në mëshirë të vetes, pa Zot, pa Sot, pa Dashni.
Kemi nji vend që i ka mbet në fyt banorëve të tij: «Nata këtu e ka emrin Shqipëri» (Nga Edra në Eden). Ata që duhet t’a bashin të banueshëm përtojnë, kurse ata që duhet ta bashin të jetueshëm nuk ekzistojnë. Atëherë ky mos-vend, mbetet veçse i mendueshëm; i mendueshëm dhe i utopizueshëm. Në këtë patafizikë çmerritëse, letërsia mund të mbetet magmë e derdhun në forma të rastit, tardhëti premisash dhe lojë mendësh.
Por asht disiplina e shahut dhe e ligjit, që e ndihmon shkrimtarin të bajë planimetrinë e këtij ferri, ti ngjesë e t’i zbresë shkallat e tij pa humbë drejtpeshimin, pa pesimizëm, pa patetizëm. Asht kjo logjikë e ftohtë ajo që e mundëson derdhjen e materies magmatike në kallëpet pothuejse të përsosuna të formës letrare. Me anë të kësaj teknike të arsyes, ai bart porsi nji Atlant peshën e (padurueshme) të botës, pikërisht tue ia njohtë asaj pikat nevralgjike.
Erion Temali nuk merr pozë në asnji moment, siç bajnë shumica e shkrimtarëve shqiptarë. Shumica e këtyne shkirmtarëve janë aq shum të zanun tue ba si shqiptarë, sa harrojnë se duhet qenë shkrimtar në radhë të parë.
Temali nuk i përçmon personazhet e tij e as nuk i idealizon ata. Ai nuk thotë “kjo po i ndodh atyne”, apo “ky mundem me qenë unë”. Për ndërgjegjen mundësia asht realitet. Temalin e vret ndërgjegja edhe për çashtje që s’i tokojnë drejpërdrejt.
Nga ana tjetër Temali i përçmon ata pseudoartistë të rinj krejtësisht injorantë, që e mbajnë veten tepër modernë, bashkë me ato tyfyçka që simbas nji shprehje’ të Kamysë “e kanë kthye poltronën e tyne në drejtim të historisë”. Temali ua ka falë atyne artin e neveritshëm të karaokes. Tue kallëzue nji realitet të neveritshëm, Temali asht përpjekje për nji nivel realiteti ma t’naltë.
Atij sikurse çdo diftojsi nuk i intereson historia si ide pozitiviste e kohës progresive, por historia si narracion. Koha njerëzore e narracionit asht ma e mirë (ma e jona), se koha çnjerëzore e historisë.
Intelektual i ri dhe guximtar, Temali ka fillue me shkrue prozë qysh në vitet e vështira të gjimnazit. Prej atëherë, shikimi i tij asht ba gjithmonë e ma i mprehtë, kritika e tij gjithmonë e ma e vërtetë. Sot ma në fund jemi të gëzuem që e paraqesim librin e tij të parë me tregime. E të mos harrojmë se diftojsi nuk i vjen shpesh nji letërsie.
E vetmja rezervë që do shfaqim për këtë përmbledhje asht prania e tepërt e përmasës autobiografike, por edhe kjo nuk jipet si e dhanë vetëjetike, por në konotacionin e saj narrativ e universal(izant). Rinia, asht padyshimi mosha kur iluzioni i Unit asht ma i fortë e ma fatal se kurrë.
Pavarësisht dimensionit të kudogjindun të ankthit, marramendjes së ndërgjegjes dhe tradhëtisë së historisë ndaj jetës, prapë, te këto tregime të shkrimtarit të ri, përhihet diku nji rreze drite, nji moral, nji etikë e të pamundunës: etika e zgjimit.
Tue na përshkrue në thelb këtë gjumë mbushë me andrra të këqija, Temali me nji dush të ftohtë na bërtet: zgjohuni! Mes tana andrrave tona, asht jeta andrra ma e keqe, prandej “zgjohuni”, “mos e flini jetën”!
Tregimi i tij asht nji variacion kulturor e filozofik mbi jetën si fat dhe si mort.
Erion Temali arrin me tregue, çka sot në kohën kur gjithkush e var mirëqënien te pasja, don me thanë: me qenë nga ana e së drejtës.