E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Ka tendenca për të dominuar pushtete të stabilizuara

Ka përzgjedhur një televizion kreu i shtetit për të komentuar idetë e hedhura në tregun politik për ndryshimet kushtetuese. Presidenti foli dje në “Top Channel”, duke hedhur akuza të rënda për ata që duan të bëjnë ndryshime të pamenduara mirë në Kushtetutë

Zoti president, javët e fundit është thelluar, le të themi, debati politik lidhur me ndryshimet kushtetuese, të kërkuara nga Partia Demokratike dhe natyrisht, deri diku të miratuara edhe nga Partia Socialiste, por që kanë ngjallur debat qoftë brenda kampit të majtë, qoftë brenda kampit të djathtë për shumë arsye. Ju si i shikoni këto kërkesa të vazhdueshme, thuajse periodike për këto ndryshime kaq të shpeshta të Kushtetutës?

Së pari do të thoja që ka pasur një ndryshim në axhendën e partive politike për çështjen e prekjes së Kushtetutës. Pra, kemi pasur prej muajsh në diskutim çështjet e reformës zgjedhore, e mirëpritur për t’u realizuar sa më shpejt, por ditët e fundit i është shtuar kësaj axhende edhe një propozim për ndryshimet kushtetuese për sa i përket çështjes së mandatit të presidentit, kompetencave të tij. U fut një propozim për ndryshimin e nenit 93 për nevojën e kundërfirmosjes së dekreteve, një çështje që kishte të bënte me KQZ-në, me prokurorinë. Unë në parim do të thoja që çështjet e prekjes së Kushtetutës nuk mund të jenë çështje të karakterit sipërfaqësor. Unë sot flas me një cilësi tjetër, jam President i Republikës dhe kuptohet që jam garanti institucional dhe garanti moral i ruajtjes së këtij dokumenti themeltar, që është dokumenti bazal, mbi të cilin ngrihet e gjithë jeta institucionale e institucioneve shqiptare. Ajo që të bën përshtypje, është se në këtë debat të improvizuar nuk ka pasur asnjë lloj konsultimi, në radhë të parë me njerëzit, të cilët janë marrë me këtë Kushtetutë, njerëzit që kanë një eksperiencë politike, në radhë të parë konstitucionale, por edhe me njerëzit e ligjit që janë profesionistë. Kuptohet, që të prekësh Kushtetutën, duhet patjetër që t’i referohesh frymës apo klimës, në të cilën është realizuar ajo Kushtetutë, pra ka pasur një referendum, ka qenë referendumi i nëntorit të vitit 1998, pra ta prekësh në mënyrë kaq frekuente, do të thotë të mos jesh serioz, pikërisht në ruajtjen e këtij dokumenti themeltar të shtetit, aq më shumë kur ka disa propozime “ex tempora” të çastit, që krijojnë një lloj pështjellimi, fusin në një debat të panevojshëm jo vetëm politikën, por edhe institucionet. Tregojnë patjetër një mungesë serioziteti, duket sikur jemi pikërisht në caqet e një politike amatoreske, që frymëzohet nga emocionet e çastit dhe kuptohet kjo e bën klimën më të rënduar dhe aq më shumë pastaj, kur disa tendenca për të dominuar pushtete të stabilizuara, tregojnë që këto mentalitete nuk mund të jenë kurrë mentalitete perëndimore, por tregojnë një lloj rrëshqitjeje në mentalitetet e vjetra ballkanike, të cilat ne dita-ditës po mundohemi t’i shmangim në frymën e integrimit euroatlantik.

Zoti president, kur thoni që këto janë përpjekje, të cilat ju i shikoni pak a shumë si negative ndaj pushteteve të konsoliduara, keni këtu pikërisht parasysh tendencën për të kufizuar kompetencat e Presidentit të Republikës?

Në mënyrë absolute unë çështjet nuk i shoh në sens personal, unë i shikoj në një sens mjaft institucional dhe jo pa qëllim në hyrje të kësaj interviste thashë që jam garant i Kushtetutës, garanti moral i këtij dokumenti themeltar. Të bësh propozime të tilla, të pakonsultuara, të hedhura jashtë çdo lloj procedure normale dhe pastaj të tërhiqesh disa orë më mbrapa, sikurse ishte rasti i propozimeve të një grupi të caktuar njerëzish për ndryshimet në nenin 93, që ka të bëjë me kompetencat, unë nuk e trajtoj si një çështje të karakterit personal, por si një çështje thellësisht të karakterit institucional të balancimit të pushteteve dhe unë besoj që jam në këtë moment për të thënë që ndryshimet, apo prekja e Kushtetutës për çështje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, ose dhe për çështje të tjera mund të bëhen, por duhet patjetër të konsultohen, duhet të jenë pjesë e një debati sa politik, aq edhe profesional, duhet të jetë patjetër pjesë e një transparence të plotë me shoqërinë, sepse është pikërisht kjo shoqëri që e ka miratuar nëpërmjet referendumit.

Zoti president, kërkesa për ndryshimet pikërisht të këtyre kompetencave erdhi nga e djathta. A janë konsultuar me ju përpara se të bëheshin publike këto lloj propozimesh? Kur them me ju, flas për ju si Bamir Topi, si njeri politik dhe si President i Republikës.

Unë mendoj që konsulta jo vetëm që nuk është realizuar, por mendoj që kjo konsultë nuk ka nevojë të bëhet në mënyrë ekskluzive me presidentin. Këto kanë qenë propozime të futura në mënyrë shumë të pabazuar në procedura, çka do të thotë që me këtë dokument kaq të rëndësishëm nuk kanë qenë të konsultuar as njerëzit e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga ka ardhur ky propozim. Pastaj mendoj që për çështje kaq të rëndësishme patjetër që duhej të konsultohej institucioni i Presidentit, por edhe të gjitha partitë politike, sepse kanë qenë të befasuar, me aq sa unë kam parë dhe kam marrë informacion, edhe aktorë të rëndësishëm të jetës politike, të jetës institucionale politike, por edhe mjaft protagonistë të jetës profesionale, konstitucionalistë, çka e bëjnë këtë një element vërtet për t’u shqetësuar.

Zoti president, ka një tërheqje për sa i përket nenit 93, megjithatë ideja e ndryshimeve kushtetuese vazhdon dhe deri diku mbështetet dhe nga partia kryesore e grupimit të majtë. Çfarë do të bëjë Presidenti i Republikës, le të themi, në rast se këto nisma konkretizohen dhe pa konsultuar qoftë faktorë, konstitucionalistë, juristë, politikanë, apo institucione publike dhe kushtetuese, nëse këto nisma kthehen në aksione politike? Çfarë do të bëjë Presidenti i Republikës, në rast se ato vazhdojnë të jenë kundër thelbit, siç ju sapo e thatë?

Unë mendoj që të diskutosh sot për ndryshimet kushtetuese, për çështje të reformës zgjedhore, do të thotë që të jesh në përfundim të një procesi që ka filluar kohë më parë, pra të gjithë kemi qenë të përgatitur për këtë proces. Ua thashë dhe e përsëris që ne mezi presim që ndryshimet e paralajmëruara, që janë pjesë edhe e angazhimit për plotësimin e reformës zgjedhore të realizohen. Nuk jam kundër propozimeve edhe për ndryshime të tjera. Edhe njëherë e ritheksoj, jam që gjithë këto çështje të mos bëhen në mënyrë spontane, me amatorizëm politik dhe procedurial dhe mbi të gjitha të mos jenë pjesë e ekspozimit të interesave të veçanta, që nuk janë pjesë e interesit të shoqërisë dhe e partive politike në përgjithësi. Kështu që unë jam i hapur që të bashkëpunoj si institucion Presidenti për të gjitha ato ndryshime kushtetuese që do të jenë në funksion të reformave të vendit.

Zoti president, më duket pak si “deja vu” kjo situatë e krijuar. Në fakt, edhe paraardhësit tuaj në përgjithësi, por ai i fundit në veçanti është ankuar edhe publikisht që institucione të tjera kërkonin të mbivendosnin, ose të anashkalonin institucionin e Presidentit. A jemi sërish në këtë lloj situate, zoti Topi dhe a ka rrezik që të kthehet ky debat në një krizë institucionale?

Unë besoj që tërheqja e atij propozimi që ka të bëjë me ndryshimin e nenit 93, presupozon që propozuesit ose të diktuar nga hapja e një debati publik, ku të gjithë ishin kundër, ose për shkak të qëllimeve taktike, tashmë janë të tërhequr dhe unë nuk kam nevojë t’i bëj ndonjë koment eksplicit nenit 93. Edhe njëherë rishpreh shqetësimin tim për çështje parimore që kanë të bëjnë me dokumentin themeltar, Kushtetutën. Nëse ndryshimet kushtetuese janë të menduara mirë, janë të sinkronizuara me vullnetin e të gjitha partive politike, bëhen pjesë e një debati të rëndësishëm, maturohet si proces dhe mbi të gjitha bëhet transparent për njerëzit, me pjesëmarrjen patjetër edhe të profesionistëve, konstitucionalistëve, atëherë jemi në një proces të mirëseardhur, ku të gjithë kërkojmë që ndryshimet kushtetuese të jenë në funksion të realizimit të atyre premtimeve për reformat. Përndryshe, tentativa të segmentuara që janë të pabazuara, janë më shumë pjesë e një aksioni të dështuar që në mënyrë absolute nuk iu bën mirë propozuesve, apo njerëzve që kanë harruar që interesat madhore janë të mishëruara pikërisht te Kushtetuta.

Kushdo që të jenë ata dhe sado lart që të jenë?

Cilëtdo. Jam duke folur në parim thellësisht për principe dhe aspak për emra të caktuar njerëzish.

Zoti president, pjesë e këtyre propozimeve është edhe ajo që në një fazë të caktuar, për të tejkaluar krizat politike që mund të sjellë moszgjedhja e Presidentit të Republikës nga Kuvendi i Shqipërisë, të kalohet në një votim nga populli, apo të ketë direkt një votim nga populli për Presidentin e Republikës. Unë kujtoj që gjatë krizës presidenciale vjet, përpara se të zgjidheshit kryetari i shtetit, ju e patët mbështetur publikisht idenë e zgjedhjes së kreut të shtetit nga populli. Si e shikoni sot këtë propozim të ridalë në skenë?

Meqenëse ju referuat një prononcimi të dikurshëm, po ju them se unë mundohem të jem konstant në pozicionin tim. Sot që unë jam në zyrën e Presidentit të Republikës, e kam më të lehtë për ta rikonfirmuar, sepse sot kam mundësi që të marr më shumë opinione, më shumë informacione. Po t’i drejtoheni opinioneve publike dhe kjo nuk ka të bëjë me persona të caktuar, por janë parime thellësisht kushtetuese, njerëzit kërkojnë që institucioni që është garant i dokumentit themeltar, garant i jetës së institucioneve, padyshim që më e mira e mundshme është që të jetë një zgjedhje e drejtpërdrejtë nga populli. Tendenca për ta futur në kanale të tjera, ku mundësia e realizimit të pazareve politike është më e madhe, tregon që i largohen pikërisht vendimmarrjes së sovranit. Ju e dini që ka sot në treg politikanë që janë larguar nga opinioni i njerëzve, janë larguar nga vendimmarrja e tyre. Nëse do të vinte puna edhe nesër për të gjykuar për pozicionin e presidentit aktual, ai që duhet të japë verdiktin patjetër duhet të jetë populli, sepse populli ka nevojë që të merret në konsideratë edhe për një arsye tjetër, për një arsye që më shumë se kushdo tjetër e di, është pikërisht ai që kërkon që politikat e elaboruara sidomos në mënyrë verbale gjatë fushatave, të ketë mundësi të provojë në realitet, nëse janë realizuar ose jo. Kështu që unë mendoj se duke i dhënë një sfond pikërisht atij opsioni të zgjedhjes nga populli, atëherë dhe institucioni i Presidentit, edhe balanca e institucioneve do të jetë patjetër më korrekte, do të jetë më harmonike dhe tek e fundit do të jetë në shërbim të popullit dhe të shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›