E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtesa e ambasadës kosovare, revoltohen pronarët e tokës: VKM e paligjshme

Kundërshtohet vendimi i qeverisë për dhurimin e godinës që do të shërbejë si ambasadë për shtetin e Kosovës. Pronarët e ligjshëm të truallit ku ndodhet godina kanë protestuar dje, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të tërhiqet nga ky akt i jashtëligjshëm dhe i formuluar në mënyrë neglizhente. “Personat e pranishëm sot (dje) janë pronarët legjitimë të këtij trualli. Pjesëtarët e kësaj familjeje kanë qenë pronarë që para instaurimit të diktaturës dhe sekuestrimi i pasurisë apo ndërtimi abuziv i një ndërtese “qeveritare” nga regjimi më i egër komunist në Europë nuk arriti dot të mohonte këtë të drejtë themelore”, - pohuan ata, duke shtuar se, dokumentacionet që vërtetojnë pronësinë e tyre janë të gatshëm t’i vënë në dispozicion edhe të medias. Godina e ambasadës kosovare, sipas vendimit të qeverisë sonë, do të jetë mes atyre të Serbisë dhe Rusisë. Kjo ambasadë do të vendoset në krah të kryesisë së Kuvendit, në zonën më të shtrenjtë të kryeqytetit, aty ku për vite me radhë ka funksionuar prezenca e OSBE-së. Në këtë mënyrë, Ambasada e Kosovës është vendosur nga shteti shqiptar që të jetë në mes selisë së re të ambasadës së Serbisë dhe asaj ekzistuese të Rusisë, dy armiqve më të mëdhenj të pavarësisë, por me sa duket, ende nuk ka mundur të zgjidhë problemin me pronarët e ligjshëm të saj. Pronarët e ligjshëm shprehen se, qëllimi i protestës është njoftimi formal për qeveritë e dy shteteve shqiptare, si dhe informimi i të gjithë opinionit opublik mbi këtë padrejtësi. “Duke shprehur kënaqësinë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe duke i uruar një fillim sa më të mbarë qeverisë kosovare në ndërtimin e mundimshëm të një shtetit jo totalitar kujtojmë se baza e çdo demokracie ka si gur të parë themeltar respektimin e pronës së tjetrit”, - pohuan ata.

Banorët e ligjshëm të këtij trualli deklaruan se, me vendim të komisionit të kthimit të pronave, kjo pronë iu rinjoh dhe iu kthye pronarëve të saj, të cilët kanë kryer të gjitha detyrimet ligjore për sa i përket regjistrimit në hipotekë dhe në zyrën e regjistrimit të pasurive. “Një akt i tillë, - deklaruan ata, - u duk se iu ktheu atyre në vend një padrejtësi që zgjati për gjysmë shekulli.” Ndërkohë, me vendimin e qeverisë së sotme, gjendja rikthehet sërish në një padrejtësi. Banorët i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga ky vendim, pasi sipas tyre, kjo situatë vetëm sa do të vonojë ardhjen e shumëpritur të përfaqësisë kosovare në Tiranë, si si dhe shkelen kushtet e domosdoshme për pjesëmarrjen e vendit tonë në çdo institucion ndërkombëtar. Duke kujtuar edhe njëherë se, çështja e pronave është një nga problematikat që pengojnë më rëndë hyrjen e Shqipërisë në Europë, ata i bëjnë thirrje shtetit të Kosovës të mos njohë dhe mos pranojë këtë akt. Pronarët legjitimë janë nga familjet më të presekutuara nga regjimi komunist. Ato janë familje që kanë kaluar gjysmë shekulli nëpër kampet dhe burgjet koministe, duke iu sekuestruar çdo pronë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›