E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit në komunën Dajt, KLSH: 2 mln $ dëme ekonomike

Vlera e dëmit ekonomik të shkaktuar nga abuzimet me lejet e ndërtimit nga kryetari i komunës Dajt në Tiranë arrin në rreth 1.5 miliardë lekë, ose 2 milionë dollarë. Ky ishte bilanci gjeneral i dëmeve financiare të shkaktuara nga drejtuesit e kësaj komune për përfitime private në shuma llahtarisht të mëdha vetëm për vitin e kaluar. Sipas rezultateve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), kryetari i komunës ka dhënë mbi 2300 m2 tokë bujqësore për të ndërtuar pallate, për të mos përmendur shpyllëzimet masive të bëra vetëm në vitin 2007. “Inspektorët e KLSH-së kanë vërejtur se 37.650 metra katrorë tokë “pyll” janë ndarë për tokë “arë” në mënyrë të jashtëligjshme nga drejtuesit e specialistët e kësaj komune, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerën e 148 852 528 lekëve”, - thuhet në raportin e fundit të këtij institucioni.

Duke iu referuar raportit të KLSH-së, veprimet e lartpërmendura, janë në kundërshtim të plotë me ligjin nr. 7501, “Për tokën” dhe vendimin e Këshillit të Ministrave “Për ndryshimin dhe kalimin në gjendjen e tokave dhe detyrat e kadastrës”. Punonjësit e kësaj komune, duke shkelur këto dy ligje, iu kanë dhënë një pjesë të konsiderueshme sipërfaqe pyjore personave që nuk ekzistojnë në listat e banorëve që ju takon tokë bujqësore. Nga kontrolli i ushtruar nga inspektorët e KLSH-së rezulton se, shkelje janë vërejtur edhe në ligjin “Për urbanistikën”, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore”, “Për miratimin e tarifës për leje ndërtimi prej 2% (për qind), “Mbi ndryshimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, etj.

Lidhur me këto shkelje, KLSH-ja ka rekomanduar 17 masa organizative, një masë administrative me gjobë në shumën e 100.000 lekëve, si dhe 3 masa disiplinore “zgjidhje e kontratës individuale” për tre punonjës të zyrës së urbanistikës së kësaj komune. Gjithashtu, sipas raportit, rezulton se në formularin nr.6, përveç emrave të tjerë që kanë përfituar tokë bujqësore është shënuar edhe një person, i cili ka përfituar “tokë bujqësore” me sipërfaqen prej 2 300 m2 që rezultonte se ishte “pyll”. Ky i fundit është shkatërruar dhe nuk ka asnjë shenjë që tregon se atje ka pasur më parë pyll.

Precedenti (Kashari 2)

Natën midis datës 30 nëntor dhe 1 dhjetor ekspertët e njësisë hetimore task-forcë, në bashkëpunim me efektivat e Policisë së Shtetit, arrestuan nën siglën e operacionit “Kashari 2”, tetë persona, mes të cilëve dhe kryetarin e komunës Kashar, Alfred Sulaj, si dhe dy ish-kryetarët pararendës të kësaj komune. Të gjithë personat e ndaluar ishin anëtarë të një grupi kriminal, që veprimtarinë e tij e ka pasur te falsifikimi i dokumenteve të pronave. Veprimtaria e këtij rrjeti falsifikatorësh është regjistruar që në vitin 2000, e cila ka vazhduar për afro shtatë vjet me radhë. As hetimi, as akuzat dhe asgjë tjetër nuk ka mundur t’i ndalojë kryetarët e ndryshëm të komunës së Dajtit dhe Policia e Shtetit bashkë me prokurorinë nuk kanë nisur ende një hetim mbi këtë çështje, as për kryetarët e parë dhe as për këta të fundit.

Qindra-mijëra hektarë tokë e vjedhur në Orikum, dy kryepleq në ndjekje penale

Në bregdetin e Orikumit janë dhënë në pronësi ose në përdorim 1323 hektarë tokë në kundërshtim me vendimet e qeverisë. Gjithashtu, janë dhënë në pronësi 255 mijë metra katrorë tokë që nuk është objekt i ligjit 7501. “Thuajse i tërë bregdeti i Orikumit është ndarë në mënyrë të kundraligjshme”, - tha dje zëdhënësi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili iu referohej kontrolleve të bëra nga ky institucion. E tërë kjo masakër me pronën në këtë zonë kishte ndodhur, pasi më herët ishte zhdukur në këshillin e qarkut të Vlorës dokumentacioni mbi origjinën e pronës i vitit 1945, ishte zhdukur regjistri i bashkëthemeluesve të kooperativës bujqësore, ishin zhdukur certifikatat e trungut familjar 1945-1956. Dhjetëra hektarë tokë janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme nga viti 1997 dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka faktuar këtë shpërdorim të pazakontë të pronës. Për të gjitha këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit, megjithatë ka çuar për ndjekje penale 3 ish-kryetarë komisioni të ndarjes së pronës në Orikum dhe dy kryepleq, ndërkohë që ka propozuar edhe disa masa disiplinore apo siç i quan ai masa organizative. Që prej vitit 1997 është shkatërruar i tërë ky bregdet dhe janë vjedhur qindra-mijëra hektarë tokë dhe KLSH dërgon në ndjekje penale dy kryepleq dhe tre komisionerë. Ndoshta prokuroria do të rreket të shohë përtej kryepleqve dhe komisionerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›