E Diel, 1 Nëntor 2026

Brian May: Dua të mbahem mend për mbrojtjen e kafshëve, jo vetëm për “Queen”

LONDËR, 15 mars, ATSH/ Kitaristi legjendar i grupit britanik “Queen”, Brian May, ka deklaruar se do të donte që trashëgimia e tij të mos lidhej vetëm me muzikën, por edhe me angazhimin për mbrojtjen e kafshëve.

“Kur të mos jem më, njerëzit pa dyshim do të më kujtojnë për “Queen”, por unë do të preferoja shumë të kujtohesha për përpjekjen e vazhdueshme për të ndryshuar mënyrën se si i trajtojmë krijesat e tjera”, është shprehur May.

Përveç karrierës së tij shumëvjeçare në muzikë, Brian May është një aktivist i njohur për të drejtat e kafshëve dhe mbrojtjen e natyrës. Ai ka mbështetur dhe drejtuar disa fushata kundër gjuetisë së kafshëve dhe trajtimit të tyre në industri të ndryshme.

Përmes fondacioneve dhe nismave të tij, muzikanti britanik ka përdorur famën dhe ndikimin publik për të rritur ndërgjegjësimin mbi mirëqenien e kafshëve, duke theksuar se respekti ndaj tyre është një përgjegjësi morale e shoqërisë.

Në intervista të ndryshme, May ka theksuar se arti dhe aktivizmi mund të ecin paralelisht, duke përdorur zërin e tij publik për çështje që shkojnë përtej muzikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›