Brinkmann: Në Kosovë nuk do të ketë më luftë

Kundëradmiral i KFOR-it gjerman, Rainer Brinkmann, përgëzon Prishtinën dhe Beogradin, që kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të biseduar për zgjidhjen e problemeve tëe tyre.
Ai tha se ky dialog jep një shpresë për të ardhmen. “Thellimi dhe intensifikimi i dialogut ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, është pozitiv. Përparimi në dialogun Prishtinë – Beograd jep shpresë, sepse kush bisedon nuk bën luftë me njëri-tjetrin”, tha Brinkmann.
Kundëradmiral Rainer Brinkmann, zëvendëskomandant i Komandës Udhëheqëse për Misione jashtë vendit të Ushtrisë Gjermane, të premten dorëzoi në Prizren komandën për kontingjentin gjerman të KFOR-it nga koloneli gjerman Rolf Gaus, tek homologu i tij Evald Nau, raporton prizrenpress.
Me dorëzimin e komandës, kontingjenti i 34-të gjerman merr përsipër detyrat e pjesës gjermane të KFOR-it.
Komandanti në largim i kontingjentit të 33-të gjerman, koloneli Rolf Gaus, theksoi para ushtarëve të rreshtuar dhe në prani të mysafirëve të ftuar se “ju i keni kryer detyrat me profesionalizëm, me vullnet dhe gatishmëri të lartë si dhe me një mjeshtëri dhe motivim shembullor”.
Koloneli në largim uroi Kosovën që ta shfrytëzojnë shansin e tyre historik. “Uroj që Kosova, ky vend dinamik me njerëz të përzemërt, ta shfrytëzojë shansin e saj historik”.
Kundëradmiral Rainer Brinkmann, ndërkaq falënderoi përzemërsisht komandantin në largim të kontingjentit të 33-të gjerman të KFOR-it dhe ushtarët e tij. “Ju i keni kryer detyrat tuaja. Ju keni dëshmuar, se jeni të aftë për të reaguar shpejtë dhe në mënyrë fleksibël”.
Komandanti i ri i trupave gjermane të KFOR-it, kolonel Evald Nau, do të komandojë në katër muajt e ardhshëm mbi 700 ushtarë gjermanë./Indeksonline/