Gjendje e jashtëzakonshme në Mali, arrijnë trupat e huaja

Në Republikën e Malit sot është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, kurse ushtria është në ofensivë kundër grupeve të armatosura islamike, njoftoi qeveria e këtij vendi.
Si raporton agjencia e lajmeve AFP, tash e sa ditë në qendër të Malit ushtria po lufton me grupe të armatosura islamike, të cilat kanë pushtuar veriun dhe po tentojnë të përparojnë drejt jugut të Malit.
Ushtria sot e nisi kundërofensivën me ndihmën e Francës, vendeve tjera evropiane dhe afrikane.
Sipas ministrit të administrimit territorial (punëve të brendshme) kolonelit Musa Kulibali, gjendja e jashtëzakonshme hyri në fuqi sot dhe do të zgjasë dhjetëra ditë, “por do të mundësojmë zgjatjen e saj edhe më shumë, po qe se është e domosdoshme”.
Presidenti francez, François Holande sot paralajmëroi dërgimin e forcave franceze në Mali, si ndihmë ushtrisë së atjeshme për përparimin e grupeve të armatosura islamike.
Londra zyrtare u shpreh se përkrah vendimin e Francës për të ndihmuar qeverinë e Malit.
Zyrtari ushtarak i Malit në një konferencë me gazetarë në Bamako tha se trupat nga Franca, Nigeria e Senegali tashmë janë angazhuar në mbështetje të ushtrisë së Malit.
Kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton ka dënuar ashpër sulmet e forcave islamike dhe marrjen e qytetit Kone nga ana e këtyre forcave, dhe kërkoi që ushtria e Malit të ndihmohet. Ajo deklaroi se BE-ja do të përshpejtojë përgatitje për dërgimin e një misioni ushtarak në Mali, që pritet të udhëhiqet nga një gjeneral francez.
Përparimi i islamikëve ka shkaktuar drojë se Mali do të mund të bëhet parajsë e re për ekstremistët, sikundër Afganistani./Indeksonline/