E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britani e Madhe, rënia e laburistëve

Fitore e pastër e opozitës konservatore në zgjedhjet administrative të zhvilluara të enjten në Angli dhe Uells. E në anën tjetër, disfatë e plotë e laburistëve të Kryeministrit Gordon Braun, që kanë regjistruar edhe rezultatin e tyre më të keq në më shumë se 40 vitet e fundit. "Është e qartë që ka qenë një natë e keqe; sigurisht një natë e keqe për laburistët", ka thënë Kryeministri Braun, që me sa duket i ka paguar shtrenjtë pasojat e krizës së kredive, por edhe rënien e ndjeshme të popullaritetit për performancën e tij në fushën e ekonomisë. "Duhet të mësojmë nga ky pësim dhe të vazhdojmë të ecim përpara pa pasoja", ka shtuar ai. Në fakt, për Kryeministrin Braun dhe për qeverinë e tij, këto zgjedhje ishin testi i parë elektoral që nga ngjitja e tij në Downing Street, në postin që për 12 vite me radhë u mbajt nga Toni Bler. Sipas agjencive të ndryshme të lajmeve, laburistët kanë dalë nga këto zgjedhje parti e tretë, pas konservatorëve të të riut Dejvid Kameron dhe liberal demokratëve. Sipas BBC-së, laburistët kanë marrë 24 për qind të votave, konservatorët 44 për qind dhe liberaldemokratët, 25 për qind. Dhe gjunjëzimi rrezikon të jetë i plotë: Në Bashkinë e Londrës, çmimi më i madh në garën elektorale, sipas rezultateve të pjesshme të publikuara nga BBC, konservatori Boris Xhonson është në avantazh kundrejt kryebashkiakut aktual, laburistit Ken Livingston, në nëntë nga 14 njësitë bashkiake. Rezultati përfundimtar do të publikohet dhe certifikohet në vazhdim, por, gjithsesi, mendohet se nuk do të ketë surpriza. Deri më tani, konservatorët kanë marrë 63 asamble lokale, laburistët kanë mundur të mbajnë vetëm 17, ndërsa liberaldemokratët 11. Vlen të saktësohet se laburistët kanë humbur 8 këshilla dhe 297 vende në asambletë lokale; konservatorët kanë fituar 12 këshilla dhe 243 këshilltarë, ndërsa liberaldemokratët kanë marrë një asamble më shumë dhe 24 këshilltarë. Në fakt, diferenca në vota është e ngjashme me atë të pësuar nga Kryeministri konservator Xhon Mejxhër në zgjedhjet lokale të 1995-ës, dy vite para se ai të largohej nga Downing Street për t‘u zëvendësuar nga Toni Bler. E ndërkaq, është regjistruar edhe viktima e parë. Dejvid Pit-Uotson, i paracaktuar nga Braun për të marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Laburiste, është tërhequr. Ai duhej të pasonte Piter Uot, i detyruar të japë dorëheqjen, pasi u përfshi në skandalin e donacioneve të dyshimta për laburistët nga ana e biznesmenit Dejvid Abrahams. Në zgjedhjet lokale, rezultatet e të cilave gjithsesi nuk janë përfundimtare, konservatorët kanë shënuar një rritje prej 4 përqindësh në shkallë kombëtare, në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit të shkuar. Një rezultat i tillë, nëse këto do të kishin qenë zgjedhje të përgjithshme, do t‘u kishte dhënë konservatorëve një shumicë prej 138 vendesh në Dhomën e Komuneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›