Shok në Austri, 1 milion USD për një foto të viktimave
Ka filluar një garë e ethshme mes mediave ndërkombëtare për të siguruar fotot e para të viktimave të rastit drithërues të incestit të Amstetenit, në Austrinë e poshtme, ku Jozef Fritzl, 73 vjeç, për 24 vjet me radhë kishte mbajtur të izoluar në qilar të bijën, me të cilën kishte abuzuar sistematikisht, duke sjellë në jetë shtatë fëmijë. Policia po ndjek dhe përpiqet të mbajë larg paparacët, të cilët tentojnë të fshihen pas pemëve përreth klinikës ku qëndrojnë të shtruar shtatë anëtarët e familjes Fritzl, shkruan gazeta austriake "Der Standard", e cila shton se spitali ka punësuar madje edhe një shërbim sigurimi privat, pas një zënke mes një ekipi televiziv dhe një punonjësi të klinikës. Sipas "Der Standard", edhe në spitalin ku është shtruar vajza më e madhe e Elisabet Fritzl, e lindur nga marrëdhënia e incestit me babain Jozef, është marrë vendimi që të mbyllen me çelës të gjitha hyrjet dytësore të godinës, për të evituar që të hyjnë atje trupat televizive apo fotografët. Siç thuhet, shkruan "Der Standard", është shkuar deri atje sa është ofruar një shifër prej një milion dollarësh për një foto aktuale të një prej viktimave. Ndërkohë, mësohet se vajza e madhe e Elisabetës, Kerstin, e cila çoi edhe në zbulimin e rastit, është në kushte me të vërtetë kritike dhe mjekët kanë filluar të bien në pesimizëm. "Vuan nga një mosfunksionim i shumëfishtë i organeve, thonë në spital dhe kjo do të thotë që mundësitë për mbijetesë janë të pakta". E nëse Kerstin do të vdesë, ka konfirmuar një zëdhënës i policisë, atëherë inxhinieri 73-vjeçar do të akuzohet edhe për vrasje. Ndërkohë, nëna e Kerstin dhe vajza e Jozefit, 42-vjeçarja Elisabet, është në trajtim bashkë me dy djemtë, Stefanin 18 vjeç dhe Feliksin 5 vjeç, në një klinikë në afërsi të Amstetenit. Pas 24 vitesh të kaluara e mbyllur në qilar, gruaja dhe fëmijët e saj mbahen në një zonë të rezervuar të godinës, me drita të ulura, që me kalimin e ditëve vijnë duke u forcuar. Sipas mjekut përgjegjës, Berthold Keplinger, të tre ata janë në gjendje relativisht të mirë shëndetësore. Ndërkohë, nuk rreshtin së mbërrituri lajme në lidhje me atë që tashmë ka filluar të quhet "Shtëpia e tmerrit". Mediat austriake kanë shkruar se gjatë 24 viteve të izolimit të familjes sekrete të Fritzlit, dikush ka dëgjuar diçka: zhurma në qilarin-burg kishin mbërritur deri në veshin e një prej qiraxhinjve. Ky i fundit, ka bërë të ditur se ka dëgjuar zhurma dhe kërcitje apo edhe tinguj objektesh që rrëzoheshin përtokë. Ai tregon se e kishte pyetur për këtë vetë Fritzlin, i cili i ishte përgjigjur se zhurmat vinin nga impianti i ngrohjes apo gazit. Po ky qiraxhi ka treguar për BBC-në se kishte parë edhe një tjetër person, përveç të atit, në qilar. Edhe në këtë rast kishte folur me Fritzlin, i cili ishte përgjigjur se bëhej fjalë për një teknik instalues. Televizioni austriak citon ndërkohë edhe një tjetër ish-qiraxhi, që kujton se kishte debatuar me Fritzlin në lidhje me faturën e energjisë që i dukej e tepruar për qilarin. Ai kujton se sahati i energjisë vazhdonte të xhironte edhe kur të gjitha burimet e apartamentit ishin të stakuara. Rasti që ka shokuar tërë botën po pasohet edhe nga reagimet e qeverisë austriake, që po përgatitet për masa më të ashpra kundër krimeve me sfond seksual.