Britani, familja e Moore e lumtur pas lirimit të tij
Babai i britanikut të marrë peng në Bagdat Peter Moore, tha se ishte i kënaqur që djali i tij ishte liruar pas një kohe prej dy vjet e gjysëm.
36-vjeçari Moore i cili ishte duke punuar me kontratë në Bagdat si programues kompjuterash u kap me 4 bodigardët e tij në vitin 2003, në kulmin e gjakderdhjes sektare ku u vranë dhjetra mijëra vetë. Trupat e tre prej truprojave iu dorëzuan autoriteteve britanike, por fati i të katërtit nuk dihet ende. Zyrtarët britanikë besojnë se ai ka vdekur.
"Jam i lumtur që djali im do të kthehet pranë familjes dhe pranë miqve të tij", tha tepër i lumtur babai i Moore. Njerka e Moore Pauline Sweeney tha se Moore i kishte thënë asaj se nuk e dinte arsyen se pse e kishin liruar atë. Ajo tha se u ndje shumë e lumtur kur mori vesh lajmin se Moore e kishin liruar.
"Nuk mund t'i mbaja lotët duke pyetur nëse lirimi i tij ishte i vërtetë. Nuk munda ta besoj se po flisja me të. Ai dukej vërtetë mirë", tha Pauline.
Edhe nëna e lindjes së Moore, Avril Sweeney, foli për ngazëllim për lirimin e të birit të saj. Prindërit e lindjes së Moore u ndanë kur ai ishte vetëm gjashtë muajsh.
Zyrtarët britanikë patën thënë në të kaluarën se besonin një grup militant shiit i quajtur Asaib al-Haq, mund të ketë qenë pas rrëmbimit.
Zëdhënësi i qeverisë irakiane, Ali al-Dabbagh tha se Iraku nuk kishte qenë i përfshirë në bisedime për të siguruar lirimin e Moore. Al-Dabbagh tha se një militant i dyshuar, Qais al-Khazali, i cili besohet të ketë lidhje me Asaib al-Haq, ishte transferuar të mërkurën nga paraburgimi amerikan për t'iu dorëzuar autoriteteve të Irakut.