E Enjte, 5 Nëntor 2026

Britani, konservatorët e kryeministrit Johnson pësojnë humbje në zgjedhjet e pjesshme

Partia Konservatore e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka pësuar një disfatë shokuese në zgjedhjet e pjesshme parlamentare që ishte një referendum për qeverinë.  Liberal-demokratja, Helen Morgan, që përfaqëson partinë e tretë më të madhe në Angli, përmbysi shumicën konservatore prej gati 23 mijë votash.  Rezultati do të shtojë presionin mbi Johnson vetëm dy vjet pasi ai u rizgjodh me një shumicë të padiskutueshme prej 80 vendesh në Parlament. Por, autoriteti i tij është dëmtuar javët e fundit nga akuzat se ai dhe stafi i tij ndoqën festat e Krishtlindjeve vitin e kaluar ndërsa vendi ishte nën izolim, përpjekjet për të mbrojtur një aleat nga akuzat për lobim të paligjshëm dhe sugjerimet se ai pranoi në mënyrë të gabuar donacione për të financuar rinovimin e vendbanimit të tij zyrtar.  Në këtë sfond, mbështetësit dhe kundërshtarët po vënë në pikëpyetje trajtimin e pandemisë nga Johnson pasi rastet me COVID-19 u rritën në shifra rekorde këtë javë ndërsa varianti Omicron përfshiu Britaninë e Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›