E Diel, 1 Nëntor 2026

Britani, konservatorët më afër fitores

Votimet Zhvillohen sot në vend zgjedhjet e përgjithshme që mund t’u japin fund 13 viteve të laburistëve

Në Britaninë e Madhe është gjithçka gati për zgjedhjet. Ashtu siç dihet janë tre liderët që kërkojnë të ulen në “Downing Street N 10”: Kryeministri në detyrë, Gordon Brown, lideri i konservatorëve, David Cameron, dhe liberaldemokrati Nick Clegg. Janë të paktë ata që vënë ende bast për laburistët që qeverisin vendin prej 13 vjetësh. Pas fitores së tretë, Blair ia kaloi detyrën Brown-it, por ky i fundit, ashtu siç tregojnë sondazhet, gjendet në vështirësi të madhe. Për ta ndihmuar duket se ka ardhur edhe ish-kryeministri Tony Blair. Sipas sondazheve të fundit një në tre zgjedhës pranon se mund të ndryshojë ende mendim para se të shkojë sot në votime. Partia që ka numrin më të madh të personave që mund të ndryshojnë mendje në momentet e fundit duket se është ajo liberaldemokrate. Kështu tregon një sondazh i “ComRes” për ITVNews/The Independent. Konservatorët janë ende në krye me 37 për qind, ndërsa laburistët dhe liberaldemokratët nuk kanë shumë diferencë nga njëri-tjetri, përkatësisht 29 dhe 26 për qind. Të përkthyera në numër karrigesh sipas sistemit mazhoritar, këto përqindje u japin konservatorëve 294 vende në Dhomën e Komunëve, 32 më pak se shumica absolute që do të shërbente për të evituar rrezikun e Parlamentit pa mazhorancë, 251 vende për laburistët dhe 74 për liberaldemokratët. 71 për qind e të intervistuarve kanë pranuar se do të marrin pjesë në votime, rreth dhjetë për qind më shumë në krahasim me vitin 2005 ku votuan 61 për qind e anglezëve. Një tjetër sondazh i bërë nga “YouGov”, sheh sërish në krye Cameron me 35 për qind 35%, i ndjekur nga Brown me 30% dhe Clegg me 24%. Deklarata e liderit konservator në orët e fundit të fushatës elektorale ishte: “Do të luftojmë për çdo votë. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të një gjenerate”, ndërsa Kryeministri Brown tha: “Jam i vendosur dhe i bindur se po luftojmë për të ardhmen e Britanisë”. Në fund, Nick Clegg tha: “Na jepet mundësia t’i bëjmë gjërat ndryshe”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›