Britani, kritika ndaj Cameronit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Dejvid Kamerun është sulmuar nga shumë drejtime për shkak të refuzimit për të bashkëpunuar me udhëheqësit e Bashkimit Europian për ndryshimet e traktatit të BE-së, me qëllim të shtrëngimit të rregullave buxhetore. Ministri i parë skocez, Aleks Sallmond e ka kritikuar kryeministrin me anë të një letre të hapur, të publikuar së fundmi nga agjencia britanike e lajmeve, Press Association. Ai e ka akuzuar Kamerunin se ka bërë një gabim të madh me këtë veprim, duke ndryshuar marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian. Këtë gjë, sipas Sallmondit, kryeministri e ka bërë pa u konsultuar me partnerët e koalicionit, apo me qeveritë e Skocisë dhe Uellsit, të cilat do të ndikohen gjithashtu nga veprimet e kryeministrit. Gjatë samiti të BE-së , që u mbajt të premten në Bruksel, Kamerun kishte refuzuar që të pajtohej me ndryshimin e traktatit të BE-së, për shtrëngim më të rreptë të buxhetit për vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Mediat britanike bënë me dije se Kamerun do të japë shpjegime përpara deputetëve se përse vendosi veton ndaj ndryshimeve te traktateve te Bashkimit Europian. Deklarata e tij pason reagimin e ashpër të zevendesit të tij Nick Clegg i cili tha se ishte shumë i zhgënjyer nga vendimi i Kamerun, se kjo ishte një lëvizje e gabuar për Britaninë dhe se vendim i tillë e çon vendin drejt izolimit. Edhe lideri i laburistëve Ed Miliband, ka shprehur kritika ndaj Kamerunit, duke thënë se ai dështoi në objektivin e tij për të mbrojtur sektorin financiar të Britanisë së Madhe.