E Diel, 1 Nëntor 2026

21 vjetori i PD, kryeministri Berisha ndihet keq, ndërpret fjalimin

“Pavarësia pa demokraci defakto nuk është Pavarësi. Viti 90-të do mbetet në kujtesën e shqiptarëve si viti mrekullive të këtij vendi”. Kështu deklaroi Kryeministri i vendit Sali Berisha njëherësh dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë në festën e mbajtur me rastin e 21 vjetorit të themelimit të kësaj partie. Nga Pallati i Kongreseve Berisha ka bërë një retrospektivë ndër vite duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve atë që ai e quajti “ diktatura më e egër në lindje”. Më tej ai vlerësoi kontributin e të gjithë popullit shqiptar si dhe të miqve europianë në rrugën progresiste të Shqipërisë.

“ Sot është 21 vjetori të krijimit të Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare në vend , partisë së parë të progresit. Viti 90-të do mbetet në kujtesë si viti i mrekullive të Shqipërisë. 21 vjet më parë ishim të vetmit në botë me liri themelore dhe besim fetar të ndaluar. Regjimi komunist Hoxhian ishte më i egri, pas atij të Bashkimit Sovjetik.Studentët me në krye tribunën e lirisë Azem Hajdari gjunjëzuan diktaturën komuniste , themeluan pluralizmin politik. Sonte festojmë ditëlindjen e lirive individuale, shqiptarët e provuan se pavarsia pa demokraci defakto nuk është pavarsi. Pluralizmi dhe pavarsia janë dy faqe të ndritura të historisë tonë . Ne festojmë si vend i votës së lirë, fjalës së lirë, respektimit të të drejtave të njeriut, si vend i institucioneve ligjore. Përparsi e PD-së eshtë dhe do vazhdojë të jetë sigurimi dhe garantimi i lirisë së qytetarëve. Diktatura Hoxhiste mori qindra e mijëra jetë. Viti 90-të krahas të tjerave është dhe viti i lindjes së ekonomisë së lirë të tregut”- tha ai.

Më tej kryeministri theksoi se përgjatë këtyre 21-vjetëve Shqipëria ka hapur një faqe të re historike duke realizuar progres të madh në zhvillimin e vendit dhe të mirëintegruar në aleancat më të rëndësishme në Europë. Berisha theksoi se prioritet i shekullit për çdo shqiptar do të jetë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Sot ne nuk jemi ndër vendet e pasura por jemi vend me ekonomi të qëndrueshme. Në 21 vjet të ardhurat pëer frymë janë rritur 40 herë, eksportet janë dyfishuar çdo dy vjet, potencialet natyrore kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, janë rritur rrogat dhe pensionet, është transformuar infrastruktura.Vende të reja punë për shqiptarët dhe kryesisht për të rinjtë do mbeten prioritet i vendit. 90-ta është viti i përmbysjes së diktaturës me rrugë paqësore. Diktatura hoxhiste e Ramiz Alisë dëshmoi se kishin prehur hanxharet ndaj çdo përpjekje për të shtypur pushtetin e tyre. Klika hoxhiste u zhduk në bunkeret e tyre. PD e dëshmoi veten si parti e vlerave të paqes. PD ka qenë dhe mbetet parti e dialogut, besimit, konsensusit në dobi të interesave të kombit. PD është forca e parë politike në lindje që shpalli si prioritet antarësimin në Evropë. Sot Shqipëria është antare e NATO-s, lëvizim pa viza ndërsa integrimi i vendit në BE do të jetë projekti i shekullit për çdo shqiptar- përfundoi ai.

Në përfundim të fjalimit kryeministri Berisha pati marrje mendësh dhe u bë largimi i menjëhershëm nga foltorja, çka u shoqërua dhe me një pauzë të festimeve. Ndërkohë sapo është njoftuar se tashmë kryeministri është në gjendje të mirë dhe nuk ka asgjë serioze.

Në festën e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike, përveç deputetëve, politikanëve dhe simpatizanëve të kësaj partie ishin tw pranishwm edhe trupi diplomatik, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i SHBA-ve, Aleksander Arvizu dhe ambasadorë të tjerë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›