E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britani, popullariteti i laburistëve në rënie

Londër - Partia Laburiste e kryeministrit britanik Gordon Brown ndodhet 22 pikë pas opozitës konservatore, në një kohë kur duhet më pak se një vit për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në vend, bëhej e ditur sipas rezultateve të një sondazhi të publikuar sot.

Konservatorët e qendrës së djathë kanë humbur një pikë krahasuar me muajin e kaluar duke siguruar një mbështetje prej 40 për qind, dhe ndërkohë Laburistët kanë humbur edhe 10 pikë të tjera duke siguruar vetëm 18 për qind të mbështetjes së të anketuarve, bëhej e ditur sipas anketimit të kompanisë së sondazheve "Ipsos MORI".

Pakënaqësia ndaj qeverisë është në nivelin më të ulët që prej vitit 1992, ndërkohë që kryeministri Brown bëri një riorganizim të kabinetit të tij sot, pas dorëheqjes së disa anëtarëve të qeverisë duke i dhënë një goditje të rëndë lidershipit të tij.

Sipas sondazhit, edhe mbështetja për vetë kryeministrin Brown po shkon drejt rënies. Shtatë nga dhjetë të anketuarit u shprehën të pakënaqur me punën e tij si kryeministër, ndërkohë që tre të katërtat e tyre ishin të pakënaqur me rezultatet e qeverisë, sipas rezultateve të sondazhit.

Brown ka vazhduar të humbë mbështetjen e publikut britanik për shkak të skandalit të shpenzimeve të tepërta të anëtarëve të parlamentit. Në një kohë kur Britania e Madhe ndodhet në recesionin më të rëndë ekonomik, skandali i shpenzimeve të ligjvënësve britanikë ka dëmtuar jo vetëm qeverinë por edhe partitë opozitare.

Brown duhet të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare deri në qershor të vitit të ardhshëm. Laburistët, në pushtet që prej vitit 1997, gëzojnë një shumicë prej 63 vendesh në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›