E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakët zgjedhin deputetët e Parlamentit Evropian

Bratislavë - Sllovakët nisën sot votimet për zgjedhjet evropiane që priten të shënojnë edhe një herë një abstenim rekord në ish-vendin komunist. Presidenti sllovak, Ivan Gasparovic u bëri thirrje zgjedhësve të mobilizoheshin sot, ndërkohë që sondazhet e fundit tregojnë një pjesëmarrje deri në 14 për qind, akoma më të ulët se gjatë zgjedhjeve evropiane të 2004-s (17%), kur vendi i sapo integruar në BE shënoi abstenimin më të madh të bllokut.

Sipas analistëve, kjo apati shpjegohet me faktin se popullata që ka votuar tashmë dy herë këtë vit për dy raundet e zgjedhjeve presidenciale, i vlerëson parlamentarët evropianë si shumë larg çështjeve kombëtare.

Partitë gjithsesi kanë arritur të tërheqin interesin e publikut duke përfshirë personalitete nëpër listat e tyre, si për shembull një këngëtar me origjinë afrikane, një ish-prezantues televiziv apo një lojtar hokeji.

Sondazhet flasin për një fitore tjetër të partisë SMER të kryeministrit socialist, Robert Fico, por gjithashtu hyrjen e mundshme në Parlamentin Evropian të partnerit të tij të koalicionit, Partisë Patriote dhe Ksenofobe SNS, që mund të fitojë një nga 13 vendet në lojë.

Hyrja e SNS-së në qeveri në gusht 2006, ka rritur tensionet historike me Hungarinë fqinje, ku disa parti, ndër të cilat ajo e ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orban, kanë bërë fushatë për temat nacionaliste.

Afro 6.000 qendra votimi do të presin nga ora 07:00 - 22:00 lokale katër milionë zgjedhësit e regjistruar. Rezultatet do të bëhen publike të dielën në mbrëmje pas mbylljes së qendrës së fundit të votimeve në BE.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›