E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania: Zgjedhjet, i përmbushën angazhimet

Londër, 18 mars, NOA Qeveria britanike në raportin e fundit që ka publikuar për të drejtat e njeriut, vlerëson procesin zgjedhor të zhvilluar në Shqipëri duke pohuar se ai përmbushi pjesën më të madhe të angazhimeve.

Megjithëse në këtë raport lihet të nënkuptohet se nuk u plotësuan tërësisht standardet për një proces zgjedhor të përsosur, sërish mund të thuhet se u bë punë e mjaftueshme për realizimin pozitiv të tyre.

Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme më 28 qershor. Ato u monitoruan nga OSBE dhe ODIHR, sipas të cilave, këto zgjedhje përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve, por nuk arritën standardet demokratike, - theksohet në raport.
Më tej, thuhet konkretisht se u realizuan përmirësime në procesin e regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, duke u konsideruar këto si përparime në kuadrin e zgjedhjeve në tërësi.

Duke shtuar në fund, se përmirësimet në sistemin elektoral, bazuar në rekomandimet e ODIHR, duhen bërë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011 ku do të nevojitet mbështetja e të gjithë partive politike.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›