Britania dëbon klerikun Abu Katada

Britania e Madhe arrestoi sërish klerikun radikal, Abu Katada, për ta dëbuar në Jordani, pasi Londra ka marrë garanci se provat materiale të marra përmes torturës nuk do të përdoren në një proces gjyqësor për terrorizimin.
Kështu ka njoftuar në parlamentin britanik ministrja e Brendshme Teresa May. Sipas saj, gjykatat britanike e kanë shpallur atë “njeri të rrezikshëm” për sigurinë kombëtare. Qeveria britanike thotë se ndërkohë ka marrë garancitë e duhura për të siguruar që deportimi i tij në Jordani është i ligjshëm.
Edhe pse fillimisht u tha se ai mund të largohej për në Jordani rreth datës 30 prill, ministrja e Brendshme ka paralajmëruar se apelimet, që tashmë kanë filluar, mund të zgjasin disa muaj.
Gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e kanë bllokuar deportimin e tij për në Jordani, pa pasur garanci ligjore.
Ministrja e Brendshme britanike ka udhëtuar së fundmi drejt Jordanisë, vendlindjes së klerikut radikal, për të marrë këto garanci dhe duket se ia ka arritur. Abu Katada është cilësuar si krahu i djathtë i Bin Ladenit në Evropë dhe ishte liruar me kusht në mes të shkurtit deri sot në mëngjes, kur është arrestuar sërish.
Abu Katada, i njohur si Omar Othman, ishte dënuar në mungesë në Jordani për përfshirjen e tij në sulme terroriste në vitin 1998.