E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drews: Jo përsëritje të 25 korrikut 2011

Komandanti i KFOR-it Erhard Drews, vlerëson se situata në veriun e Kosovës është tensionuar në prag të zgjedhjeve të Serbisë, ndërsa ka porositur të gjitha palët që ta ruajnë qetësine. Drews ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të jetë e përmbajtur dhe të mos ndërmarrë ndonjë aksion të ngjashëm me atë të 25 korrikut të vitit të kaluar, duke marrë parasysh pasojat e këtij operacioni. Këto komente komandanti i KFOR-it, Erhard Drews i ka bërë pas vizitës në veriun e vendit, ku tha se qeveria me maturi duhet të parandalojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Shefi i Trupave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjenerali Erhard Drews,vlerësoi se situata në veri të vendit mbetet e tensionuar, ndërsa trupat e KFOR-it po e kryejnë punën e vet për t`i ofruar siguri popullatës në këtë pjesë të territorit të Kosovës. “Kam ardhur këtu që t`i vizitoi ushtarët e KFOR-it që janë të vendosur te lagjja “Tre rrokaqiejt”. Pas shpërthimeve gjendja është qetësuar dhe u jam shumë mirënjohes ushtarëve të mi që me prezencën e tyre kanë krijuar një mjedis të sigurt. Do të ketë ushtar aq sa unë e shoh të nevojshme. Nuk do të kisha thënë që pas ngjarjeve të fundit gjendja është përkeqësuar, por ne duhet të theksojmë se gjendja vërtetë është e tensionuar dhe secili për vete është pak sa i nevrikosur dhe secili qytetar po tensionohet më shumë aq sa po afrohen zgjedhjet serbe”, tha shefi i trupave paqëruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjenerali Erhard Drews.

Gjenerali i KFOR-it, Erhard Drews kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të jetë e përmbajtur dhe të mos ndërmarrë ndonjë aksion si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, duke marrë parasysh pasojat e këtij operacioni.

“Ne të gjithë i dimë pasojat e 25 korrikut të vitit të kaluar dhe nuk besoi që njëri prej nesh e dëshiron një rezultat të tillë. Dhe, unë kam besim të madh në maturinë e qeverisë së Kosovës dhe besoi që me këtë maturi duhet të veprojmë”, tha Erhard Drews, komandant i Përgjithshëm i KFOR-it.

“Pra, unë kam besim të plotë në qeveri, ata në mënyrë të pjekur duhet t`i shfytëzojnë mundësitë për të parandaluar zgjedhjet e Serbisë në pjesen veriore dhe natyrisht të sillen në mënyrë të duhur dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.

Këto komente komandanti i KFOR-it, Erhard Drews i ka bërë pas vizitës në veriun e vendit, me ç`rast u takua edhe me serbët të cilët po qëndrojnë në tendat pranë barrikadës tek ura e Ibrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›