Britania del nga recesioni
Ekonomia e Britanisë së madhe ka shënuar në periudhën korrik-shtator një rritje me 1% dhe kjo falë efektit pozitiv që patën Olimpiadat e zhvilluara në Londër. Të dhënat janë bërë publike nga zyra britanike e statistikave e cila konfirmon se kjo është norma më e lartë e rritjes së PBB në pesë vitet e fundit. Gjithsesi statistikat zyrtare nuk tregojnë se sa është në fakt shifra reale e ndikimit të lojrave olimpike në PBB, por tregojnë se vetëm shitja e biletave ka kontribuar me 0,2% në ekonomi. Vlerat pozitive të ekonomisë, që pasoi 3 tremujorë në radhë të tkurrjes ekonomike, janë një lajm shumë i mirë dhe për qeverinë e koalicionit e cila është gjendur nën një presion të lartë për të garantuar një normë më të mirë të rritjes së ekonomisë dhe në listën e atyre që bënë presion ka qenë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kryeministri britanik David cameron i ka komentuar këto shifra si pozitive të cilat tregojnë se ekonomia është në rrugën e drejt por ka shtuar se mbetet ende shumë punë për të bërë. Shifrat kanë entuziazmuar edhe investitorët, shumica e të cilëve parashikonte rritje në normë tremujore me 0.6%. Megjithatë, një pjesë e analistëve paralajmërojnë se shifrat duhet të shihen me rezerva për të analizuar efektet e përkohshme pozitive që japin zhvillimi i Lojrave Olimpike si dhe krahasimi me tremujorin e dytë ku ka pasur një numër më të ulët të ditëve të punës për shkak të festave kombëtare. Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Anglisë bëri thirrje për t’u treguar të kujdesshëm pasi ringjallja e ekonomisë është ende në normë të ulët dhe se kriza në eurozonë vijon të jetë kërcënim i madh.