Britania dyfishon ndihmat për rebelët sirianë

Britania e Madhe ka dyfishuar ndihmat joushtarake për kundërshtartët e presidentit Bashar al-Assad në Siri, lajmëroi të premten Ministri i Jashtëm, William Hague.
Ministri bëri me dije se 500 mijë paund shtesë do t`i akordohen grupeve që kundërshtojnë regjimin brenda dhe jashtë vendit arab.
Në një fjalim nga Londra, Hague i bëri një thirrje të re Assadit që të pranojë se ai nuk ka më asnjë shpresë për të mbijetuar si figurë politike.
Deklarata e Hague vjen ndërsa një raport i ri i OKB-së vlerësoi numrin e viktimave në një vit përleshje të rebelëve me trupat qeveritare
në 9 mijë persona.