E Enjte, 5 Nëntor 2026

Britania e Madhe akuzon Moskën se po përpiqet të vendosë liderin pro-rus në Ukrainë

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss akuzon Kremlinin për komplot për të “instaluar udhëheqjen pro ruse në Ukrainë”, ndërsa frika për një pushtim rus të Ukrainës rritet. Në një postim në llogarinë e saj në “Twitter”, Lis Truss hodhi akuzën se Moska po përpiqet të vendosë liderin pro-rus në Ukrainë. 

Tensionet janë rritur në javët e fundit pasi dhjetëra mijëra trupa ruse u grumbulluan në kufirin e Ukrainës, së bashku me një arsenal tankesh, automjetesh luftarake, artileri dhe raketa.

Londra tha se kishte parë prova se disa ish-politikanë ukrainas kishin mbajtur lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse dhe se ish-deputeti Yevgen Murayev po konsiderohej si një udhëheqës i mundshëm.

Disa nga ata që ishin në kontakt me oficerët e inteligjencës ruse ishin “aktualisht të përfshirë në planifikimin e një sulmi në Ukrainë”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë, megjithëse nuk dha detaje të provave. 

Një zyrtar amerikan e quajti komplotin e supozuar “thellësisht shqetësues”. 

Moska i hodhi poshtë pretendimet si “dezinformim” dhe i kërkoi Londrës “të ndalojë përhapjen e marrëzive”. 

Ndërsa një ditë më parë SHBA nisi drejt Ukrainës rreth 90 tonë me ndihma që mediat e huaja i quajtën vdekjeprurëse, për shkak se përmbajnë armatime dhe municione. 

Kjo është edhe dërgesa e parë e një pakete të miratuar së fundmi nga Presidenti Joe Biden që ushtria amerikane do të dërgojë në Ukrainë dhe në të ka municione për mbrojtësit në vijën e parë të frontit.  

Ambasada amerikane në Kuiev tha se dërgesa tregonte angazhimin e pa lëkundër të SHBA-së për të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojte. 

“Shtetet e bashkuara do të vijojnë të sjellin ndihma të tilla për të mbështetur forcat e armatosura ukrainase në përpjekjet e tyre për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial përballë agresionit rus”, shkruajti kjo ambasadë në rrjetin social Facebook. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›