Pekini mbulohet nga smogu

Kina njoftoi të hënën se do të ketë ndotje të madhe të ajrit gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, por theksoi se ajo ka plane emergjente për të siguruar që Olimpiada të mos ndërpritet nga smogu. Kryeqyteti kinez shpalli “luftë ndaj ndotjes” pasi fitoi në 2015, të drejtën për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore, duke mbyllur dhjetëra impiante të qymyrit dhe duke përgjysmuar punën e industrive të rënda në kryeqytet, për të hequr statusin e tij si një nga qytetet më të ndotura në botë. Në një përpjekje për të pastruar qiejt nga smogu, fabrikat e çelikut përreth qytetit u urdhëruan të përgjysmojnë prodhimin që në gushtin e kaluar dhe sobat e qymyrit në 25 milionë familje në të gjithë Kinën veriore u zëvendësuan me djegës gazi ose elektrike.
Por pamjet flasin qartë. Smogu ka mbuluar parkun olimpik. Cilësia e ajrit është ende shumë nën standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pavarësisht përmirësimeve dramatike në vitet e fundit, sipas të dhënave shtetërore të publikuara këtë muaj. Kina ka nisur planet emergjente. Vitet e fundit janë bërë përmirësime. Përqendrimi në ajrin e Pekinit i grimcave ultrafine PM2.5, të cilat shkaktojnë kancerin në mushkëri, sulmet në zemër dhe foshnjave të lindura para kohe, ra në 33 mikrogramë për metër kub vitin e kaluar. Por sërish kjo shifër është ende gjashtë herë më e lartë se pesë mikrogramë për metër kub të rekomanduara nga OBSH.
Kina shpreson të përdorë Lojërat Olimpike Dimërore për të shfaqur kredencialet e saj të gjelbra dhe ka ndërtuar dhjetëra ferma të energjisë së erës dhe diellit për të fuqizuar spektaklin sportiv. Por gati 60 për qind e ekonomisë së Kinës fuqizohet nga qymyri dhe vendi ka parë një rritje të importeve të karburantit fosil dhe minierave për të ndihmuar në luftimin e një krize energjie që ka gjymtuar fabrikat.