E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania nën ethe të dasmës

Me miliarda njerëz anembanë botës do të përcjellin sot para ekraneve televizive ceremoninë më të përfolur martesore të viteve të fundit, atë martesës mes Princit Williams dhe Kate Middletonit. “VisitBritain” parashikon se rreth 600 000 persona do të jenë në kryeqytetin britanik, për të ndjekur nga afër ceremoninë, me disa entuziastë që kanë filluar të ngrenë tashmë çadrat jashtë kishës. Rreth 50 krerë shtetesh janë në mesin e 1900 të ftuarve që do të marrin pjesë në ceremoni. Nga Express më 29 prill 2011 në ora 09:53

Sot në Britani do të zhvillohet ceremonia martesore më e përfolur e viteve të fundit. Princi William i Uellsit do të lërë beqarinë, për t’u martuar me Kate Middleton.

Middleton gjatë ceremonisë së martesës, që do të organizohet sot, do të zotohet për “dashuri, nder dhe besnikëri”, por jo për “bindje” ndaj Princit William.

Në programin zyrtar të martesës së tyre, çifti theksoi se ishte “tepër i mallëngjyer” nga dashuria e treguar ndaj tyre, që prej momentit të fejesës.

Në porosinë e shkruar në programin zyrtar të martesës, William dhe Kate theksuan:”Ne jemi tepër të kënaqur që ju do të na bashkoheni në festimin e asaj, që ne shpresojmë të jetë dita më e lumtur e jetës sonë”.
Williami mbrëmjen e së enjtes e kaloi me princin Charles, Dukeshën e Kornuallit dhe Harryn, teksa Kate dhe familja e saj kaluan mbrëmjen në një hotel.

Rreth 50 krerë shtetesh janë në mesin e 1900 të ftuarve, për të marrë pjesë në ceremoninë martesore që do të zhvillohet sot.

“VisitBritain” parashikon se rreth 600 000 persona do të jenë në kryeqytetin britanik, për të ndjekur nga afër ceremoninë, me disa entuziastë që kanë filluar të ngrenë tashmë çadrat jashtë kishës.
Parashikohet që ngjarja të ndiqet nga miliona persona anekënd botës nëpërmjet televizionit. Mijëra gazetarë kanë zbarkuar në Londër dhe kanë ngritur studio e improvizuara jashtë Buckingham Palace.

William dhe Kate, morën pjesë në provat gjenerale, në kishën e famshme të Westminster në Londër.

Flamuj gjigantë nëpër rrugë dhe nëpër dyqane, theksojnë edhe njëherë ndjenjën e mirë që mbizotëron mes britanikëve për këtë martesë.

Por për Kate Middleton, lidhja në kurorë vjen me një çmim. Gazeta gjermane Bild ka arritur të zbulojë çfarë parashikon marrëveshja paramartesore e firmosur nga çifti, pranë studios ligjore “Spears” në Londër.

Sipas Bild në rast shkurorëzimi, Kate do të humbiste automatikisht kujdestarinë e fëmijëve. Me vështirësi të madhe ajo ka arritur të shtojë një klauzolë, që i jep të drejtën të takojë fëmijët pa kufizime, e drejtë kjo që përfshin edhe prindërit e saj.
As nga ana ekonomike, Middletonit nuk do t’i interesonte një shkurorëzim. Nga pasuria prej 14 milion eurosh e Williamit, që pas vdekjes së mbretëreshës Elisabet do të shkonte në 327 milion euro, Kate nuk përfiton asgjë, përveç një pensioni ushqimor.
Nuk ndodhi kështu me princeshën Diana në vitin 1996, kur ndarja nga Charles i solli përfitime prej gati 17 milion funte.

Nëse martesës do t’i vinte fundi, Kate do t’i thoshte lamtumirë edhe titullit të fisnikërisë, sepse kurora britanike ka rezervuar t’ia heqë në rast shkurorëzimi.
Qeveria Britanisë e ka deklaruar ditë pushimi të premten dhe janë planifikuar 5 mijë mbrëmje të ndryshme festive nëpër rrugë. Megjithëse anketimet tregojnë se shumica e britanikëve nuk janë të interesuar për dasmën, për tifozët më të mëdhenj të monarkisë, kjo është ngjarja e shekullit.

Ndërsa në Britani mund të ketë mendime të ndryshme lidhur me dasmën, Princi William dhe Kate e kanë të garantuar një vend të rëndësishëm në mbretërinë britanike. Në një lagje të qetë periferike të Londrës, banon Margaret Tyler në shtëpinë e saj të njohur si “Shtëpia e trashëgimisë”, ku ajo mban objekte të shumta për monarkinë britanike.
“Kjo ishte tavolina ime e bukës, këtu është ulur familja ime të dielave, kur mblidhej së bashku, por tani jemi duke ngrënë darkë me pjatën në prehër, (para televizorit) sepse William dhe Catherine duket se po na kontrollojnë të gjithëve”, theksoi ajo.
Duket se Tyler ka në shtëpinë e saj të gjitha suveniret e familjes mbretërore, që janë prodhuar në shumë vite, mbi 10 mijë objekte. Me qindra filxhanë me fytyrat e anëtarëve të familjes mbretërore janë varur nëpër mure. Këtu ka objekte nga më të ndryshmet, deri revistat ku janë botuar artikuj me foto të familjes mbretërore, madje ajo ruan edhe një tufë flokësh të Princeshës Diana.

Si mund të krahasohet kjo dasmë me të tjerat, që zonja Tyler ka parë gjatë disa dekadave?

“Në këta 39 vjet që unë kam grumbulluar suvenire, kanë ndodhur shumë gjëra. Por tani familjen mbretërore mund ta shohësh në mënyra të ndryshme. Ndërsa dasmën e princit Charlse me Dianan e ndoqën 750 milionë njerëz, tani po thuhet se dasmën e çiftit të ri do ta shohin 2 miliardë njerëz”, theksoi ajo.

Thuajse çdo dyqan në Britani ka diçka nga suveniret mbretërore. Por anketimet tregojnë se vetëm 37 për qind e publikut britanik janë me të vërtetë të interesuar dhe të emocionuar nga dasma.

Familja mbretërore dhe tatimpaguesit britanikë dhe siç është tradita, edhe prindërit e nuses, po paguajnë dhjetëra miliona funte për Dasmën e Shekullit. Margaret Tyler thotë se mezi po pret të blejë një skulpturë porcelani në miniaturë të princeshës së re, për t’ia shtuar koleksionit të saj të familjes mbretërore.

Dhe nëse nuk të tërheq shumë moda, mund të luash pak bixhoz, por për dasmën. Tashmë kanë filluar të vihen bastet për një të papritur të këndshme, për atë se shoqëruesi kryesor i dhëndrit, Princi Harry, do të harrojë të sjellë me vete unazën e nuses.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›