E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të famshëm pa Oscar

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 12:30

Një numër i madh filmash, të cilët mund të konsiderohen legjendarë dhe pjesë të enciklopedive filmike, nuk e kanë fituar asnjëherë Çmimin Oscar. Por, ata janë pjesë e lekturës së obliguar kinematografike.

1. Psycho (1960)
Alfred Hitchcock

Filmi, shkaku i të cilit shumëkush është frikësuar të hyjë nën dush, pasi e ka shikuar, bën pjesë në klasikët kinematografikë dhe është i bazuar në romanin e Robert Bloch. Hitchcock ishte i nominuar për Oscar për regjinë më të mirë, kurse aktorja Janet Leigh për rolin dytësor të femrës.

2. Once Upon a Time in America (1984)
Sergio Leone

Një rrëfim sentimental dhe tragjik për rritjen e një djaloshi në Brooklyn. Filmi bën pjesë në lekturën e obliguar të kinematografisë. Versioni origjinal i filmit zgjat 227 minuta, por ishte shkurtuar para premierës amerikane. Është interesante se ky film nuk ka fituar madje asnjë nominim për Oscar.

3. The Shawshank Redemption (1994)
Frenk Darabont

Tim Robbins dhe Morgan Freeman luajnë për mrekulli rolet e dy të burgosurve, të cilët gjatë viteve në burg afrohen dhe bëhen shokë të ngushtë. Filmi ishte nominuar për Oscar në shtatë kategori, kurse Freeman për rolin më të mirë të mashkullit.

4. Frost/Nixon (2008)
Ron Howard

Ron Howard ia ka dalë të bëjë një adaptim të mrekullueshëm të një drame historike, sipas veprës së Peter Morgan. Rolet kryesore në film i luajnë Frank Langella, Michael Sheen e Sam Rockwell. Frost/Nixon ishte i nominuar për filmin më të mirë, regjinë e montazhin më të mirë, rolin më të mirë të mashkullit dhe skenarin më të mirë të adaptuar.

5. The Godfather III (1990)
Francis Ford Coppola

Pjesa e tretë e filmit, edhe pse shumë interesante për shikuesit, i ndau në dysh kritikët. Disa e konsideronin të veçantë, e disa të tjerë vetëm vazhdim “të përtypur” të sagës për familjen Corleone. Megjithatë, për Oscar ishte i nominuar në shtatë kategori, ndër të cilat edhe për filmin më të mirë dhe rolin më të mirë dytësor (Andy Garcia).

6. Poltergeist (1982)
Tobe Hooper

Bëhet fjalë për një ndër trilerët më të suksesshëm të viteve ’80. Edhe pse ishte i nominuar në disa kategori, si për efekte speciale, muzikë dhe efekte vizuale, filmi nuk fitoi Oscar. Rolet kryesore në të i luajnë Craig T. Nelson, JoBeth Williams dhe Beatrice Straight.

7. Ghostbusters (1984)
Ivan Reitman

Komedia me primesa horori ka argëtuar gjenerata të tëra, sidomos me foret e Bill Murray e Dan Aykroyd. U xhiruan madje disa vazhdime të filmit, por asnjë nuk ishte i suksesshëm sa i pari. Për Oscar ishte i nominuar në kategoritë për muzikën më të mirë dhe efektet më të mira vizuale.

8. Vertigo (1958)
Alfred Hitchcock

Bëhet fjalë për një klasik të famshëm, me Kim Novak e James Stewart në rolet kryesore. Një detektiv dhe një femër fatale i garantojnë këtij filmi pavdekshmërinë, por jo edhe Oscarin. Kishte vetëm dy nominime.

9. Basic Instinct (1992)
Paul Verhoeven

Ky film e radhiti aktoren Sharon Stone në mesin e mega yjeve, ndërkohë që skena në të cilën ajo kryqëzon këmbët, teksa merret në pyetje nga policia, është bërë legjendare. Edhe pse Michael Douglas dhe Stone luajtën për mrekulli aferën e poolicit me psikiatren, që është vrasëse e shumëfishtë, anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit nuk e shpërblyen me asnjë Oscar.

10. Fatal Attraction (1987)
Adrian Lyne

Glenn Close shkëlqen në këtë triler, në rolin e gruas e cila i bëhet obsesion mashkullit, me të cilin kishte një aferë të shkurtër. Shikuesve iu mbetet gjatë në mend skena, në të cilën një lepur i gjallë zihet në tenxhere, ndërkaq filmi kishte shtatë nominime për Oscar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›