Ndahen për autostradë
Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjet ekzistuese dhe një vendim të vetin, kur vendosi që pa e pyetur fare Kuvendin ta ndryshojë trasenë e autostradës Vermicë-Merdar.
Saktësisht, traseja sipas vendimit të fundit të Qeverisë, do të kalojë kah Malisheva e jo ka Shtimja, siç ka qenë me vendimin e parë.
Bëhet fjalë për vendimin e 2008-së, që u patë miratuar edhe në Kuvend. Sipas këtij vendimi, i cili u përpilua me ndihmë edhe të ekspertëve, thuhej se traseja e autostradës do të kalojë nga Shtimja. Gjatësia e përgjithshme e trasesë ishte 117 kilometra, do të ndërtoheshin 105 ura dhe tre tunele me gjatësi totale 5 kilometra.
Por, e gjithë kjo ndryshoi me një vendim të Qeverisë dhe pa u pyetur fare Kuvendi.
Traseja e cila tani nuk do të kalojë nga Shtimja, por përmes Qafës së Duhlës dhe Arllatit do të lidhet me magjistralen Pejë-Prishtinë, për opozitën, është e paligjshme.
Ndërkaq, Qeveria thotë se këtë po e bën për shkak se me ndryshimin e trasesë po kursehen 350 milionë euro.
Ajo që u bë e ditur nga ekzekutivi është se autostrada do të kalojë nga Malisheva, duke anashkaluar tunelin në Qafë të Dulës.
Sipas arsyetimit të Kryeministrit Thaçi dhënë në mbledhje të Qeverisë, ndryshimi i trasesë do të kursejë 350 milionë euro dhe koha e kalimit nëpër autostradë do të zgjatet për vetëm 7 minuta.
“Dikush mund të pyesë pse është ky devijim. Përgjigja është shumë e qartë, e studiuar nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. Kursehen mbi 350 milionë euro dhe do të ketë vetëm 7 minuta shtesë në kuptimin e humbjes së kohës”, ka thënë Thaçi.
Megjithatë, sipas një analize të institutit “GAP”, traseja e re zgjat rrugën për 15 km. Për t’i kaluar 15 km për 7 minuta nevojitet që ngasësit t’i japin automjeteve të tyre 128 km në orë. “Shpejtësi e cila është e dënueshme me ligjet aktuale në fuqi”, thuhet në analizën e “GAP”.
Gjithashtu është shkelur edhe Ligji për planifikim hapësinor, sipas të cilit për zonat e interesit të veçantë duhet paraprakisht aprovimi i Kuvendit.
“Përderisa Kuvendi i Kosovës nuk vendos ndryshe, mbetet në fuqi vendimi i Kuvendit i datës 2 qershor 2008 për trasenë e autostradës dhe nuk mund të ndryshohet me vendim ekzekutiv të Qeverisë”, thuhet në këtë analizë të “GAP”-it.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, vendimin e Qeverisë e ka quajtur të paligjshëm dhe të papërgjegjshëm, përderisa ka thënë se Kuvendi i Kosovës po injorohet tërësisht.
Beqiri ka thënë se LDK-në nuk e pengon se nga shkon traseja, por e pengon anashkalimi i procedurave dhe mosrespektimi i ligjit.
”Neve nuk na pengon nga i bie traseja, por na pengon procedura, na pengon mosrespektimi i ligjit dhe i procedurave të parapara me ligj. Na pengon injorimi dhe nëpërkëmbja e Kuvendit”, ka thënë Beqiri.
Edhe Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se ndryshimi i trasesë është në kundërshtim me ligjin, pasi, sipas tij, shpalljen zonë e interesit dhe trasenë e vendos vetëm Kuvendi i Kosovës.
“Sot i kemi dëgjuar disa deklarata të kryeministrit se autostrada po vjen deri në Arllat për të kursyer të holla dhe pajtohemi me këtë, por jo për shkak të trasesë, por për shkak se kryeministri po ndërton autostradë prej Vërmicës deri në Arllat”, ka thënë Gjini. Ndërkaq, pjesa prej Arllatit deri në Prishtinë, sipas tij, vetëm sa është paguar me mjetet e qytetarëve të Kosovës.
“Do të thotë po i ndërtojmë diku 80 kilometra për mbi 1 miliard euro”, ka shtuar ai.
Ndaj këtyre deklaratave të opozitës ka reaguar deputeti i PDK-së, Shaip Muja. Ai ka thënë se kjo autostradë mund ta pengojë dikë, porse Qeveria, sipas tij, është e bindur që ta zhvillojë vendin dhe ta lidhë me Evropën.
“Shumë shpejt do ta shijojmë atë autostradë, siç po e shijojmë pjesën nga Shqipëria, e cila edhe ajo po ashtu u ndërtua dhe tani askush nuk po pyet, por po e shijojnë dhe po gëzohen”, ka thënë Muja.
Veç kësaj, në analizën e institutit “GAP” gjithashtu thuhet se nuk është dhënë kurrfarë arsyetimi së në bazë të çfarë studimesh është bërë ky kalkulim.
Për më tepër, mosmiratimi i trasesë së re në Kuvend, sipas tyre, mund të vështirësojë edhe shpronësimin e pronave në trasenë kah do të kalojë autostrada. Kjo për shkak se deri më tani ka ekzistuar një vendim i Kuvendit për trasenë e autostradës dhe Qeveria e Kosovës ka pasur të drejtë ligjore që me vendime ekzekutive të shpronësojë pronat në Komunën e Prizrenit dhe Suharekës. Por, një e drejtë e tillë nuk ekziston edhe për shpronësimin e pronave në trasenë e re pa marrë pëlqimin e Kuvendit.
Kalkulimi i GAP-it
Në seancën e Kuvendit të Kosovës së 2 qershorit 2008, gjatë prezantimit në Kuvend ish-ministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit z. Fatmir Limaj kishte thënë se çmimi i autostradës, e cila do të kalojë nëpër trasenë e miratuar në Kuvend, do të jetë rreth 659 milionë euro. Në rast se me trasenë e re kursehen 350 milionë euro, i bie se çmimi i ndërtimit të autostradës do të jetë 309 milionë euro. Kjo shumë është shuma që buxheti i Kosovës ka ndarë vetëm me buxhetin e Kosovës të 2010 dhe, sipas kësaj, nuk do të duhej të ndaheshin mjete shtesë për financimin e autostradës më 2011 dhe vitet në vazhdim.
Traseja e re
Traseja e re, sipas vendimit me të ri të Qeverisë, tani nuk do të kalojë nga Shtimja, por përmes Qafës së Duhlës dhe Arllatit dhe do të lidhet me magjistralen Pejë-Prishtinë.