E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania nuk e fal Ronën, 20 vende mbi 76-vjeçarin e tyre

Përfaqësimi shqiptar, komente pro e kundër.

The Telegraph: Si mundet që Humperdinck qëlloi më pak popullor se Rona Nishliu?!
Anglezëve nuk u del e keqja me shqiptarët. Si është e mundur që një 26-vjeçare, tërësisht e panjohur nga Shqipëria, të mund të sfidojë një 76-vjeçar me dy yje fame në Hollywood dhe në Las Vegas?!
Rona Nishliu me këngën e saj të veçantë Suus arriti në vendin e pestë me 146 pikë, kurse këngëtari Engelbert Humperdinck me vetëm 12 pikë, arriti të kapë vetëm vendin e 25 mes 26 finalistëve. Dhe të mendoni se Britania e Madhe hyn direkt në finale, si një nga vendet themeluese dhe sponsore të Eurovizionit. Kjo është arsyeja pse mediat britanike nuk janë kursyer fare kundrejt këngëtares që përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Europian. Janë marrë jo vetëm me vokalin e saj, këngën, por edhe me pamjen, madje dhe me flokët. The Telegraph e shpreh hapur mllefin për këtë arritje të këngëtares shqiptare, që sipas gazetarit dukej si me dhimbje lindjeje, por ndërkaq këngëtari i tyre përfaqësues, i cili dukej sikur po zhvillonte një seancë spirituale me Elvis Preslin, ishte ca i vjetruar për skenën boll rinore të Eurosongut. Daily Mail është mjaftuar me komentet e të rinjve nëpër facebook, apo twitter, të tipit: Ajo vetëm bërtet, më tremb për vdekje, ose E bërtitura e saj duket si klithma e një njeriu që çohet nga gjumi prej një makthi. Të tjerë merren me veshjen. Duket si vampir, ose me keq akoma, si një mbretëreshe e ndonjë race aliene. Por pavarësisht komenteve hidh e prit, ku Daily Mail ka qëmtuar vetëm ato negative, Nishliu ka arritur në vendin e pestë. Mbrëmë në orën 20:00 ajo ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, ku është pritur nga përfaqësues të lartë të Radio Televizionit Shqiptar.
Hakmarrja e The Telegraph

Engelbert Humperdinck, përfaqësuesi i Britanisë në Eurosong

The Telegraph kur shkruante për turpërimin e përfaqësuesit britanik e titullonte: Eurovision: këngëtarët mund të ndryshojnë, por jo rezultati. Por nëse kjo ndodh me britanikët, të cilët përvit zënë vetëm radhët e fundit të tabelës, por që për fat futen direkt në finale, kjo nuk është e vërtetë për Shqipërinë. Gjatë historisë shqiptare të Eurosongut, veç Anjeza Shahinit që arriti vendin e gjashtë pas skualifikimit të këngëtarit serb Zhelko Joksimoviç, tre nuk kanë mundur të futen fare në finale, ndërsa të tjerët janë renditur vetëm në vendin e 16 apo 17. Ja se çshkruan ndër të tjera The Telegraph:
Nuk ishte menduar të shkonte kështu. Përpara se të niste të kënduarit, ne ishim të sigurt se Engelbert ishte aq popullor në qytetin pritës të Bakusë, kryeqytetin e Azerbajxhanit, pasi i duhej të shoqërohej nga eskortë policie kudo që shkonte. Edhe organizatorët mikpritës ishin të preokupuar të na tregonin se çfarë nderi ishte që të kishin një konkurrent që kishte yjet mbi Bulevardin e Famës në Hollywood dhe Las Vegas.
Por nga momenti që ai doli në skenë si garuesi i parë, u bë e qartë se kjo nuk do të ishte nata e Britanisë së Madhe. Humperdinck, 76 vjeç, u duk i pushtuar nga nervat dhe me zërin e tij më poshtë se më e mira e tij, sharmi i tij, por balada e tij thellësisht sipas modës së vjetër ishte shumë e dukshme.
Por pavarësisht, poshtërimi i tij është i vështirë për tu shpjeguar. Si mundet që Humperdinck qëlloi më pak popullor, le të themi se Rona Nishliu, një vokaliste eksperimentale xhazi nga Shqipëria? Klithmat e saj të jashtëzakonshme, uh-et dhe çjerrjet nga dhimbja e bënin të dukej si një grua me dhimbje lindjeje, në një muzikë jo në tonalitet. Ndërsa dukej më e çuditshme seç tingëllonte. Megjithatë, ajo kapi 12 pikë vetëm nga Italia.

Si Bjork
Nishliu nuk ishte kaq e çuditshme (sa gjyshet ruse) dhe nuk binte aq shumë në sy. E mbështjellë nga një mjegull e bardhë, ajo qëndronte e vetme në skenë, me flokët e saj të mbledhur në mënyrë elegante, me një tufë të vetme që i gjarpëronte në qafë, një fustan në blu e të zezë, si nga e ardhmja. Kënga e saj Suus, që në gjuhën shqipe do të thotë Personale, ishte një baladë dramatike që zbuloi gjithë potencialin e zërit të Nishliut. Pika kulmore, e cila kishte nuanca të dukshme nga muzika e Bjorkut, e lejoi Nishliun të vajtojë… (New York Daily News.com)

Nishliu: Sbesoj se jam votuar prej tragjedisë

Rona Nishliu

Rona Nishliu është e kënaqur që arriti të shpërblejë mbështetjen e shqiptarëve. E rrethuar nga komente pa fund, shpeshherë jo pozitive, Nishliu nuk dëshiron të besojë se votimi është nxitur edhe për shkak të tragjedisë së Himarës. Kjo këngë ka shumë komponentë që duhet të vlerësoheshin, thotë ajo.
Na tregoni, çndjesi provonit nga njëri votim në tjetrin…?
Isha e lumtur, sepse Shqipëria ishte prezente në pjesën më të madhe të votimeve dhe aq më tepër që flamuri shqiptar ndodhej vazhdimisht në top 5. Isha më shumë e lumtur që po shpërbleja të gjithë ata që më kanë mbështetur. Jam e sigurt që janë të shumtë shqiptarët që më kanë mbështetur në të gjithë Europën. Ndihem aq e lumtur, saqë nuk arrij ta shpreh dot këtë me fjalë të bukura.
Ju vjen keq që zutë vendin e pestë?
Renditja nuk ka qenë kurrë për mua një nxitje për të krijuar apo për të vazhduar më tej. Megjithatë, për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që më kanë mbështetur ishte një rezultat i matshëm, për të dëshmuar suksesin tonë në Eurosong.
Çdo performancë juaja është shoqëruar me komente nga mediat e ndryshme, ju vinte ky fakt nën presion, për të dhënë maksimumin?
Nga prova në provë performanca ka qenë më e mirë, si ajo vokale, ashtu edhe skenike, pasi duhet thënë se për ne që nuk jemi mësuar të dalim përpara një publiku të tillë, nuk është e thjeshtë të ngjitesh në atë skenë. Në një skenë që nuk e njeh, para qindra- miliona shikuesve. Ndërkohë kam dëgjuar për komentet që më janë bërë dhe këto kanë qenë një ndihmë dhe një shtysë e jashtëzakonshme. Çdo koment ka qenë një motiv për të dhënë maksimumin. Qysh nga fillimi, që në Festivalin e RTSH-së, por dhe në skenën e Eurosongut, ajo që unë kam dashur ka qenë të shpreh ndjenjat e mia, dashurinë për muzikën dhe publikun artdashës.
Ndodhi fatkeqësisht që ju të këndonit në një ditë zie, mendoni se në një farë mënyre kjo tragjedi i ka nxitur njerëzit të votojnë për ju?
Të dyja performancat në festival, për shkak të tragjedisë që ndodhi, unë ua kam dedikuar atyre 13 shpirtrave të humbur dhe jam bashkuar me dhimbjen e të afërmve të tyre. Unë nuk mund ta them një gjë të tillë. Nuk do të doja ta besoja dhe nuk e besoj që të jem votuar për këtë. Ajo këngë ka shumë elemente për të cilat ia vlente të votohej.
Rona, deri në fund e mbajtët mister veshjen tuaj, cilët ishin realizuesit e saj dhe pse kjo zgjedhje?
Ajo është një paraqitje për të cilën është punuar në grup. Është një krijim i stilistes Flutura Dedinia, sipas kërkesave të mia, por edhe regjisorit të videos Bekim Lumi, Arbër Bytyçi et

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›