E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringrihet minarja e xhamisë së Prezës, shembur në 1967

Xhamia e Kalasë së Prezës

Fillimisht një kishë, pastaj xhami, pastaj e gjymtuar e më në fund pritet të kthehet në identitet. Xhamia shekullore e Prezës, e cila ka nisur të ndërtohet në shek. XVI, është e para që përuron projektin e rikonstruksionit të 5 xhamive në Shqipëri. E ngritur mes gjelbërimit dhe e rrethuar nga muret e kalasë së shek. XIV, me një stil ndryshe nga të gjitha xhamitë që jemi mësuar të shohim, ajo do të mund ti kthehet destinacionit të dikurshëm. Sipas specialistëve, ndërhyrja do të jetë komplekse, por ajo që të prek së tepërmi është ringritja e minares së shembur në vitin 1967, në valën e revolucionit komunist kundër objekteve të kultit. Fillimet e këtij projekti u bënë të njohura dje në Kalanë e Prezës me praninë edhe të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, koordinatorit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, që financon projektin Jahja Gylseven, këshilltari pranë Kryeministrit, arkeologu Neritan Ceka dhe specialistë të tjerë. Sipas ministrit Bumçi, restaurimi i 5 xhamive është vetëm faza e parë e projektit pasi në bashkëpunim më TIKA-n është rënë dakord edhe për një fazë të dytë, e cila do të përfshijë monumente të tjera kulturore. Preza është shembull i qartë i vënies së trashëgimisë kulturore në funksion të turizmit, tha Bumçi, duke e marrë atë si shembull si një prej monumenteve të para, ku është aplikuar procesi i rijetësimit. Këtu i referohej një lokali modest me tavolina në gjelbërim.

Pesë xhamitë
Përmes një fondi prej 4 milionë eurosh, xhamitë e para të përzgjedhura për tiu nënshtruar restaurimit janë: xhamia në Kalanë e Prezës, xhamia në Pazarin e Krujës, xhamia e Nazireshesë në Elbasan, xhamia e Plumbit në Berat dhe xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›