E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet, pranga kapitenit të Lacios

Kapiteni i Lacios, Stefano Mauri, është arrestuar dje në mëngjes së bashku me 18 persona të tjerë nën akuzën e trukimit të ndeshjeve. Urdhër-arrestet u lëshuan nga Prokuroria e Kremonës. Në pranga përfundoi edhe ish-lojtari i Xhenovës, tani në Padova, Omar Milaneto. Operacioni i koduar Last Bet është vijim i operacionit të 17 dhjetorit 2011, ku u arrestuan 17 persona, mes tyre edhe Bepe Sinjori. Sipas prokurorëve, Mauri dhe Milaneto ishin në dispozicion që, në këmbim të parave, të fiksonin rezultatin e ekipeve të tyre përkatëse. Nën hetim është edhe trajneri i Juventusit, Antonio Konte. Në apartamentin e tij është ushtruar kontroll. Emri i teknikut të Juventusit u përmend nga Filipo Karobi, i penduar, i cili e akuzonte se kishte dijeni për barazimin në ndeshjen Novara-Siena. Midis të dyshuarve është edhe Domeniko Krishito, përsëri nën akuzë për komplot, sulmuesi i Kievos, Serxhio Pelisier, dhe sulmuesi i Xhenoas, Xhiuzepe Skuli. Sipas prokurorëve, ndeshja mbi të cilën janë vënë shumë baste ka qenë LeçeLacio, ku janë fituar 2 milionë euro, nga të cilat 600 mijë euro kanë shkuar në xhepat e lojtarëve që e kanë trukuar këtë takim. Ndërsa nuk mbetet pas edhe Lacio-Xhenova 4-2, për të cilën akuzohen se e kanë trukuar Mauri dhe Skuli. Madje hetuesit kanë edhe foto të lojtarëve në një restorant me autorët e trukimit, katër ditë para ndeshjes.

Të arrestuarit
Stefano Mauri futbollist i Lacios (arrest me burg)
Omar Milaneto – futbollist i Padovas (arrest me burg)
Kevulah Konteh ish-lojtar i Piaçencës (detyrim paraqitje)
Jose Injacio Zhoelson lojtar i Pergokrema (arrest shtëpie)
Alesandro Pelikori ish-lojtar i QPR (arrest me burg)
Paolo Açerbi futbollist i Viçencës (arrest me burg)
Ivan Tishi ish-futbollist i Avelinos (arrest me burg)
Françesko Rupolo futbollist i Padovas (detyrim paraqitje)
Marko Turati futbollist i Modenas (arrest me burg)
Kristian Bertani futbollist i Sampdorias (arrest me burg)
Zoltan Kenesei ish-futbollist i Tiranës (arrest me burg)
Matias Lazar ish-futbollist i Tiranës (arrest me burg)
Lazlo Shultc nënshtetas hungarez (arrest me burg)
Lazlo Straser nënshtetas hungarez (arrest me burg)
Istvan Borgulja nënshtetas hungarez (arrest me burg)
Vitorio Gati nënshtetas italian (arrest me burg)
Luka Burini nënshtetas italian (arrest shtëpie)
Daniele Ragone nënshtetas italian (arrest shtëpie)
Mateo Griti futbollist i Albinolefe (arrest me burg)

Sezoni i kaluar, i trukuar
Kryeprokurori i Kremonës, Roberto di Martino, ka pohuar se sezoni i kaluar ka qenë thuajse i gjithi i trukuar. Ne kemi prova që ndeshja Leçe-Lacio është trukuar. Nga ana tjetër dyshojmë se gjatë vitit 2011, 7-8 ndeshjeve të skuadrës së Sienës u është manipuluar rezultati. Si rrjedhojë, nën hetim kemi marrë edhe presidentin e Sienës, Mezaroma dhe trajnerin Antonio Konte.

Një shqiptar i përfshirë
Një foto e futbollistit që aktualisht luan me Zenit (Rusi), Domeniko Krishito, është publikuar nga mediat online në Itali ku duket ai në një takim me Safet Altiç, një boshnjak që tashmë është në burg. Në takimin e 10 majit 2011 kanë qenë të pranishëm edhe Xhiusepe Skuli (në atë kohë lojtar i Lazio) dhe një shqiptar me emrin Kujtim Qoshi, i lidhur me Altiç.

Çrrezikojnë skuadrat e  shqiptarëve
Në skandalin e basteve në Itali është përfshirë klubi i Sienës së Erjon Bogdanit dhe ai i Lacios së Igli Tares. Por le të shohim më poshtë se çfarë rrezikojnë klubet në të cilat marrin pjesë shqiptarët. Siena arriti ti shpëtonte rënies nga Seria A, por nëse Prokuroria e Kremonës vërteton fajësinë e klubit bardhezi, atëherë përveç skualifikimit të presidentit Mezaroma, dënimi mund të bjerë edhe mbi skuadrën, duke i dërguar kështu për dërgim në Serinë B. Disi më i rëndë mund të jetë dënimi për klubin e Lacios. Klubi bardhekaltër, nëse rezulton fajtor, rrezikon të mos marrë pjesë në Ligën e Europës. Gjykata sportive italiane, falë ligjeve të saj të rrepta, ka vënë përpara përgjegjësisë klubet, pavarësisht se mund të kenë qenë lojtarët ata që kanë manipuluar rezultatin e një takimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›