Britanikët tërhiqen nga një rajon i vështirë afgan
Agjencia e lajmeve "BBC", bën të ditur se ka të dhëna se qeveria britanike do të njoftojë ndryshime në dislokimin e trupave britanike në Afganistan. Sekretari i Mbrojtjes, Liam Fox, pritet të njoftojë në parlament gjatë ditës, se zona e ndjeshme dhe e dhunshme e Sanginit do t'i dorëzohet ushtrisë amerikane. Rreth njëmijë trupa, nga më shumë se nëntëmijë të dislokuara në total, patrullojnë zonën e Sanginit. Por një e treta e 300 ushtarëve britanikë të vrarë në konfliktin e Afganistanit kanë humbur jetën në këtë zonë. Sangini, me relievin e pazakontë, kompleksitetet tribale dhe lidhjet me tregtimin e opiumit, vlerësohet nga SHBA-ja dhe forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO si një zonë shumë e rrezikshme. Ndaj çdo ndryshim, përsa i takon dislokimit të trupave atje, do të jetë në mënyrë të pashmangshme një çështje sensitive. Dorëzimi në komandën e forcave amerikane pritet të portretizohet si një ristrukturim ushtarak i arsyeshëm që do të mundësojë konsolidimin e kontigjentit britanik.