KS,Kosova hedh poshtë pretendimet e Serbisë për dhunën në Mitrovicë
Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju jork diskutoi në një seancë të jashtëzakonshme për situatën në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç në fjalën e tij ka fajësuar pavarësinë e Kosovës për dhunën që po ushtrohet në veri të Mitrovicës. Sipas tij shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk i ndihmon paqes dhe stabilitetit. Por akuzat e Tadiçit u hodhën poshtë nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Ai ndër të tjera tha se po bëhen hetime për vrasjen e mjekut boshnjak. Sipas tij granata e dorës mund të jetë hedhur nga vetë protestuesit. Në fjalën e tij Hyseni vuri theksin në përpjekjet e qeverisë kosovare për integrimin e të gjitha pakicave etnike duke repektuar shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut. Për ngjarjet e fundit në Mitrovicë folën edhe shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri dhe kreu i EULEX-it, Iv de Kermabo. Vendet anëtare të KS-së si Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara nënvizuan përpjekjet e qeverisë së Kosovës dhe kundërshtuan politikat e Beogradit. Rusia dhe Kina mbrojtën qëndrimin e Beogradit, duke nënvizuar nevojën për bisedime shtesë për zgjidhjen e statusit. Por ky propozim u hodh poshtë nga Kosova dhe vendet perëndimore.