E Shtunë, 31 Tetor 2026

“British Airways” thyen parashikimet

“British Airways” ka përmbyllur një vit shumë të suksesshëm në aeroportin “Gatwick”, duke i tejkaluar objektivat e veta në lidhje me përpikmërinë në orar, me performancën e vet më të mirë që nga viti 2005. 

 Nga 13.000 nisjet kryesore nga “Gatwick”-u gjatë sezonit të dimrit, 83 për qind e tyre janë nisur brenda 15 minutave të orarit të paracaktuar, kohë kjo që është një standard i kësaj industrie. Ndërsa niveli i përmbushjes së pritshmërisë së klientëve po arrin një tjetër përmasë më të lartë, me statistika të përmirësuara nga pasagjerët, veçanërisht për sa i përket procesit të check-in–it dhe atij të nisjes në “Gatwick”, ku tani “British Airways” operon me 43 pika të lënies së bagazheve, duke përfshirë edhe asistencë ndaj klientit në check-in dhe 29 kioska vetëshërbimi për check-in. Shumë pasagjerë si asnjëherë më parë, po përdorin kioskat e vetëshërbimit për check-in, dhe këtë dimër shifrat kanë arritur nivele rekord. Sipas Peter Lynam, menaxheri i përgjithshëm i “British Airways” për operimet dhe përpikmërinë në, “Përpikmëria në orar këtë dimër në ‘Gatwick’ ka qenë thjesht e shkëlqyeshme. Kjo industri e mat suksesin në nivelin 15 minutash dhe ka pasur ditë kur vetëm një fluturim nuk e ka kapur këtë objektiv. Me motin e pafavorshëm që kemi pasur në Mbretërinë e Bashkuar dhe me problemet me të cilat jemi përballur për sa i përket ekuipazhit dhe Kontrollit të Trafikut Ajror, arritjet kanë qenë akoma më të lavdërueshme”. Ai shtoi se, “edhe me programin e verës, i cili parashikon një numër më të madh destinacionesh të reja dhe ngarkesa më të mëdha, të cilat bartin sfida të tjera, unë besoj se stafi në ‘Gatwick’ do t’i përballojë si zakonisht”. Ndërkohë “British Airways” po hap 12 destinacione të reja në pikat më tërheqëse evropiane nga aeroporti i “Gatwick”-ut këtë verë me fluturime të reja drejt Alikantes, Antalias, Faros, Gjenovës, Gjibraltarit, Ibizës, Maltës, Palmës, Pafosit, Poznanit dhe Tunizisë. Fluturimi drejt Varshavës është transferuar në “Gatwick” nga “Heathrow” dhe shërbimi i përditshëm drejt Orlandos është rritur me 10 fluturime, nga 7 të tilla në javë. Deri në fund të verës do të operojë drejt një totali prej 59 destinacionesh brenda vendit, në Evropë dhe në distanca të largëta. Beverly Benett, shefja e “British Airways”-it për “Gatwick”-un dhe rajonet e Mbretërisë së Bashkuar, tha se “në një vit veçanërisht sfidues, unë jam shumë krenare për stafin në ‘Gatwick’, që kanë arritur të përballojnë gjithçka që kemi kërkuar dhe madje më shumë se kaq. Me një program shumë të ngjeshur përpara, e di se puna e vështirë do të vazhdojë t’u sigurojë pasagjerëve tanë se ata mund të presin nivelin e shërbimit më të mirë të mundshëm në ‘Gatwick’”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›