E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokaj: Bashkimi PS-LSI i panevojshëm, Rama do fitonte edhe i vetëm. Ngjela: Akti i Metës, historik

metaSabit Brokaj, ish-eksponent i rëndësishëm i PS-së, por dhe LSI-së, nga e cila u largua pas koalicionit me PD-në, ka thënë për revistën Java se bashkimi PS-LSI është i panevojshëm. Kjo, pasi sipas tij, Rama dhe PS mund ti fitonin zgjedhjet edhe pa LSI-në.

Në princip, bashkimi i partive të një krahu, natyrisht është normal. Këtu, problemin e sjell, së pari fakti që njëra nga këto parti, pra LSI vjen nga një qeverisje shumë e kompromentuar dhe e inkriminuar, ndaj të cilës Partia Socialiste ka pasur kritika shumë të rëndësishme principiale, siç janë vrasjet, korrupsioni i madh, mosndëshkimi i krimit, rritja e krimit të organizuar, për ta quajtur me emrin real atë të faljes së hapësirës detare, pra, një tradhti kombëtare, të cilën Partia Socialiste e fitoi në Gjykatën Kushtetuese si një çështje të madhe. Pra, këto probleme, që janë madhore, e sjellin diskutimin nga njëra anë.

Nga ana tjetër, diskutimi lind vetiu, pasi Edi Rama u tregua në angazhimet e tij për qeverisjen e re dhe politikën e re, pothuajse radikalist, në kuptimin më pozitiv. Në këtë pikëpamje, në të dy rastet, si për faktin e realitet të qeverisjes, ku LSI ishte jetike në qeverisje për PD, si dhe pamundësia tashmë që Edi Rama të realizojë ato që shpalli e bëjnë qytetarin apo politikanin që e shikonte me shumë pozitivizëm lëvizjen e Ramës drejt vendosjes së shtetit ligjor, të dyshimtë. Domethënë, të gjithë ata që nuk gjykonin nëse Rama e kish me të vërtetë, por më shumë sugjestionoheshin dhe e prisnin dhe e dëshironin që Rama të ishte ashtu siç thoshte, këta ndjejnë zhgënjimin pasi nga një qëndrim i madh e i prerë, rilindës siç e quajti ai, vendoset një bashkëqeverisje apo qeverisje në ato përmasa ku lundrohet brenda ditës në këmbë. Kjo ka sjellë atë që mund të quhet jo natyrshmëri në princip të këtij bashkimi, shprehet Brokaj.

Por, ndryshe mendon Spartak Ngjela. Ai e cilëson aktin e Metës, si një akt të madh dhe historik, në këtë kohë të rrezikshme për demokracinë e Shqipërisë.

Qenia e këtij kryeministri është një fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të kalojnë shqiptarët. Akti që bëri Meta është një akt shumë i madh, në funksion të historisë së Shqipërisë dhe Partia Socialiste ka bërë shumë mirë që e ka ftuar sepse akti i tij është bërë në një kohë shumë të rrezikshme për historinë demokratike dhe zhvillimin shqiptar, shprehet Ngjela./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›