E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bronislaw Komorowski

Njeriu që kërkon të shpëtojë Poloninë Vjen nga një familje aristokrate, është optimist, i zgjuar, i duruar. Në qershor shpreson të fitojë zgjedhjet kundër partisë së Presidentit që humbi jetën në aksidentin ajror të një jave më parë, dhe të bëhet President i vendit

Në prag të udhëtimit që e çoi drejt vdekjes, Lech Kaczynski dëshironte të fliste me njerëzit e tij të besuar. Njëri prej tyre ishte Adam Bielan. Bielan është 36 vjeç dhe eurodeputet i zgjedhur nga listat e Partisë Ligj dhe Drejtësi, partia e Presidentit polak, i cili humbi jetën bashkë me 95 persona të tjerë në mjegullën e dendur të Smonleskut, 11 kilometra nga Katini, vendi ku Stalini vrau 22 mijë zyrtarë polakë në prill të vitit 1940. Gjatë asaj bisede që zgjati 4 orë, Kaczynski i kishte treguar për fushatën dhe zgjedhjet e ardhshme, ku dëshironte të kandidonte sërish për të marrë postin e kryetarit të shtetit, dhe do të përdorte si kolonë zanore “Baladën e kavalierit të vogël”. Zgjedhja ka një vlerë simbolike të jashtëzakonshme si për të treguar se përplasja mes Partisë Ligj dhe Drejtësi dhe Platformës Civile të Kryeministrit Donald Tusk, si dhe ajo e kandidatit për President, Bronislaw Komorowski, është një zgjedhje që shkon kundër vizioneve të vendit. “Kavalieri i vogël” është një personazh i krijuar nga shkrimtari i famshëm polak, fituesi i çmimit “Nobel” për letërsinë, Henryk Sienkiewicz. Kryevepra e tij është “Trilogjia”, që tregon rënien e Polonisë perandorake në vitet 1700, ajo që shtrihej nga deti Balltik në Detin e Zi, kur në Varshavë froni mbretëror ishte në shitje për të huajt, ndërsa armiqtë i vendosën zjarrin kombit. Kavalieri i vogël është “Zoti Wolodyjowski”, protagonisti i librit që mbyll “Trilogjinë”, nga i cili në vitin 1969 u prodhua një film i suksesshëm.

Kolona zanore e atij filmi është pikërisht “Balada”, që pëlqente aq shumë Kaczynski. Por kjo i përket së shkuarës tashmë, asaj që Presidenti i ndjerë kërkonte. Zgjedhjet e parashikuara për në tetor pritet të zhvillohen në qershor sipas Kushtetutës. Para tragjedisë së Smonlenskut, sondazhet nxirrnin Komorowski-n, kandidatin e Platformës Civile, si fituesin e sigurt me rreth 12 pikë diferencë ndaj Kaczynski-t. Po tani? Jemi përpara një fakti të tmerrshëm, thonë në Vashavë”. Partia Ligj dhe Drejtësi u zhduk thuajse tërësisht. Në aksident vdiqën gjithë drejtuesit dhe liderët e saj, me përjashtim të njërit, vëllait binjak të Lech, Jaroslaw Kaczynski. Thuhet se Jaroslaw ishte truri i çdo politike të ashpër antieuropiane, antiruse, armiqësore ndaj të drejtave të gay-ve. Beqar, i kushtuar krejtësisht ndaj kurave të së ëmës dhe politikës, binjaku i vogël Kaczynski mund të jetë një kundërshtar i fortë për Komorowski-n. Shumë e kanë frikë dhe mendojnë se koha e politikës së mirë do të përfundojë sapo trupat e martirëve të varrosen. Por Komorowski, ashtu siç tregojnë njerëzit e tij më të afërt, është optimist. Kjo, sepse ai ka një karakter të tillë. Ndoshta sepse më shumë se çdo politikan tjetër është një politikan që mishëron Poloninë e re, atë që e kaluara e sheh me qetësi dhe gjykim, pa keqardhje, sepse ka një shikim drejtuar së ardhmes. Komorowski është një aristokrat i rrënuar dhe për këtë “status” bën shkaka shpesh si në jetën publike, ashtu edhe në atë private. Vjen nga një prej familjeve më të vjetra polake, pronarë të mëdhenj tokash në Lituani, dhe i përket një shtrese sociale që gjithmonë i ka dhënë Polonisë inteligjentë dhe njerëz të zotë. është tolerant, i duruar, iluminist, dhe kurioz për të tjerët. Stërgjyshi kishte një bibliotekë me më shumë se 20 mijë libra. Babai ishte antropolog, udhëtar, poet.

Xhaxhai, Bornislaw Maria, u vra në moshën 16-vjeçare nga gjermanët në Vilnus. E ëma, një sociologe e famshme, e bindi kishën polake që t’i bënte priftërinjtë të studionin sociologji. Komorowski është i martuar, ka 5 fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në organizata joqeveritare, është pronar i një shtëpie të bukur në rrethinat e Suwalkit, në kufi me Lituaninë. Një vend ky me liqene të vegjël, pyje të virgjër dhe lejlekë. Ka lindur në vitin 1952 dhe për shumë vite, sipas asaj që u tregon miqve, ka jetuar në Jozefow, afër Varshavës. “Ishim pesë veta në një dhomë prej 10 metrash katrorë”, tregon. Nga të parët i ka mbetur vetëm një servis porcelani i viteve 1800 dhe veshja e pagëzimit. Aktiviteti politik i Komorowski-t nisi në vitin 1971. Kur u arrestua për herë të parë, mikut që i dha lajmin, i ati i pati thënë: “Më në fund po bën diçka me mend”. Opozita e atëhershme ishte e ndarë në dy rryma, atë radikale demokrate dhe atë nacionaliste. Komorowski ishte mik i të dyjave. “I urrej konfliktet”, tregon ai. është shakaxhi, paqësor, mirëkuptues dhe aspak karizmatik. Shumë nga kundërshtarët e tij e cilësojnë si njeri pa kurajë. Mundet, por nuk duhet të harrojmë se jeton në një vend si Polonia. Për këtë mjafton të shohësh grataçielat madhështore në Varshavë dhe tridhjetëvjeçarët që drejtojnë kompanitë private, apo disa shifra të pandryshueshme. GDP-ja për person e polakëve është katërfishuar që prej vitit 2000 në 2009, nga 4473 në 17.989 dollarë. Ekonomia që kishte ritme rritjeje më të mëdha se 6 për qind, sot në mes të krizës ekonomike globale nuk ka shkuar më poshtë se 1.5 për qind. Papunësia është në shifrat 8.9 për qind, pak larg mesatares europiane me 9.1 për qind. Sipas një ekonomisti të njohur europian, Daniel Gross, pas 20 vjetësh italianët do të jenë më mirë se gjermanët. Por nuk ka përfunduar. Partia e Komorowski-t, Platforma Civile, ka arritur të bëjë një kryevepër: Kryeministri Donald Tusk ka arritur të bëjë për vete si rusin Putin, ashtu edhe gjermanen Angela Merkel.

Ndoshta një ironi e fatit: Katin është vendi ku u ekzekutua elita intelektuale e vendit, pasi Stalini ishte aleati më mirë i Hitlerit. Sot, për herë të parë në historinë e saj, Polonia është mikeshë e dy fqinjave që prej kohësh i ka pasur frikë. është kjo Polonia që shpreson të fitojë në qershor dhe që ka pasur mbështetjen e kardinalit Dziwisz, sekretari i Papa Vojtilës, i cili u bëri thirrje bashkëpatriotëve të tij “të pajtoheshin me rusët”. Pikërisht e kundërta e projektit politik të Kaczynski-t. Njerëzit e afërt të Komorowski-t nuk kanë dyshime për fitoren. Po ndërsa zgjedhjet e qershorit po afrojnë, detyrat që duhet të zgjidhë vendi, pasi të kalojë traumën e tragjedisë ajrore, janë të shumta. I duhet të gjejë një guvernator të ri për Bankën Qendrore, shefin e ushtrisë dhe shumë zyrtarë të tjerë, duke ia kaluar stafetën një gjenerate të re në vend.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›