Virozat e stinës bum pacientësh në pediatri
Ndryshimet e temperaturave kanë rritur ndjeshëm rastet me viroza të stinës dhe alergjitë në qytetin e Fierit. Grupmosha më e prekur janë fëmijët, ndërkohë që mjeku pediatër, Dhimitër Dhamo, pohon se javën e fundit është dyfishuar numri i pacientëve të vegjël që kryejnë vizitë dhe që marrin trajtim të hospitalizuar.
Ankesat kryesore lidhen me organet e aparatit të frymëmarrjes. Mjeku pediatër, Dhimitër Dhamo, thotë se për gjithë javën kanë marrë mjekim mbi 500 fëmijë, ndërkohë që 70 prej tyre janë shtruar në spitalin pediatrik të Fierit.
“Javën e fundit shihet një rritje e sëmundshmërisë. Kjo si shkak i ndryshimit të temperaturave. Vetëm gjatë 24 orëve në repartin e pranimit vizitohen nga 50 deri në 60 fëmijë, kurse shtrohen 15 të tjerë. Janë virozat e stinës, si dhe alergjitë ato që kanë shtuar numrin e vogëlushëve me komplikacione në këtë periudhë”, ka thënë pediatri Dhimitër Dhamo. Ndërkaq, mësohet se fëmijët e zonave rurale, përbëjnë edhe numrin më të lartë të pacientëve të shtruar. Mjekët tërheqin vëmendjen që në këtë periudhë duhet treguar shumë kujdes nga luhatjet e temperaturave, si dhe kanë theksuar faktin se prindërit nuk tregohen të vëmendshëm ndaj shenjave alergjike që mund të shfaqin fëmijët e tyre.
Ndërkohë që në poliklinikën qendrore të qytetit, mjekja alergologe tregon se që nga fillimi i muajit ka nisur shtimi i numrit të pacientëve që shfaqin probleme alergjike në lëkurë dhe sy.
#