Marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova, shkëmbim mjekësh
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, priti ministrin e sapoemëruar të Shëndetësisë së Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Mes dy ministrave u diskutua mbi dimensionin e ri, ku tashmë, kanë hyrë marrëdhëniet mes dy vendet, veçanërisht në fushën e shëndetësisë.
Për Vasilin, sistemet shëndetësore në dy vendet tashmë kanë hyrë në një proces reformimi të pakthyeshëm, ndaj dhe vizita e ministrit kosovar të Shëndetësisë është cilësuar e rëndësishme dhe në kohën e duhur. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, tha se: “dy mjekësitë tona kanë nevojë të sinkronizohen më shumë, ndaj dhe rritja e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të intensifikohet”. Bukoshi ka kujtuar dhe një herë ndihmën dhe gatishmërinë e treguar nga i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar gjatë periudhës së vështirë të eksodit kosovar. Të dy ministrat kanë biseduar për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e shëndetësisë, që do të konsistojnë në shkëmbimin e informacionit dhe specialistëve në fushën e shëndetit publik, teknologjisë dhe inovacionit, shkëmbime të specialistëve të klinikës, si dhe në fushën e trajnimeve dhe specializimeve të përbashkëta.
Ministri i Shëndetësisë, Vasili, pritet të vizitojë Kosovën. Gjatë kësaj vizite pritet dhe finalizimi i marrëveshjes së re në fushën e shëndetësisë.
#