Bruceloza, emigrantët shqiptarë nuk marrin trajtim
Sëmundja infektive e brucelozës është rishfaqur sërish ditët e fundit në Qarkun e beratit. Katër pacientë kanë marrë gjatë kësaj kohe ndihmën shëndetësore pranë spitalit infektiv në Berat, ndërkohë që mjekët deklarojnë se pacientët janë prekur nga sëmundja infektive në Greqi, ku punonin dhe jetonin. Shefi i repartit infektiv pranë spitalit të Beratit, Petraq Ceca, bëri të ditur se vetëm gjatë javës së fundit kanë mbërritur pranë këtij reparti katër pacientë meshkuj të moshave nga 20-50 vjeç, të cilët kanë rezultuar të prekur nga bruceloza. Të katër pacientët mësohet se janë banorë të fshatrave të Rrethit të Skraparit dhe janë prekur nga epidemia gjatë kohës që punonin në stane si barinj në fshatrat e Greqisë. Emigrantët mësohet se janë kthyer pranë banesave të tyre sapo kanë evidentuar që gjendja e tyre shëndetësore kishte filluar të rëndohej. Ceca shprehet se një prej pacientëve ka mbërritur në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e mosmarrjes së ndihmës shëndetësore në kohë. Pacientët janë paraqitur me dhembje të mëdha trupi, temperaturë të lartë dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore. Aktualisht ata ndodhen jashtë rrezikut, ndërkohë që mjeku këshillon banorët e zonave rurale të tregohen më të kujdesshëm me përdorimin e produkteve blegtorale.
Mjeku Petraq Ceca pohoi se kjo sëmundje është shfaqur për herë të parë në Shqipëri nga vitet ‘70, ndërsa rasti më i rëndë është konstatuar në një nga zonat ku mbarështoheshin bagëti, në Uznovë të Rrethit të Beratit. Gjatë këtij viti, vetëm brenda një muaji u sëmurën rreth 100 bagëti, por që iu nënshtruan menjëherë kontrollit mjekësor. Deri në vitin 1990 nuk janë evidentuar raste të brucelozës. Fillimet e saj u përkasin viteve pas emigrimit të shqiptarëve në shtetin fqinj, Greqi. Megjithatë rastet me simptoma më të rënda janë shfaqur në vitin 1994. Kjo sëmundje, ka pohuar Ceca, e ka origjinën nga Greqia, pasi të gjithë pacientët që janë shtruar në spital kanë qenë emigrantë në Greqi. Sipas mjekut, pjesa më e madhe e tyre ka punuar kryesisht në stane si çobanë me dhentë. Ka pasur raste të përsëritura, vijon Ceca, në 1997, por pas vitit 2000 ato kanë qenë më të shpeshta. Doktori pohoi se gjatë viteve 2001-2004 nuk është konstatuar asnjë rast i prekur nga kjo lloj sëmundje. Ajo u rikthye në vitin 2009 dhe po vazhdon ende në ditët e sotme, ku tre rastet më të fundit numërohen vetëm gjatë kësaj jave. Mjeku tha se kjo sëmundje nuk transmetohet nga njeriu te njeriu, por nga kafsha te njeriu, sidomos nëpërmjet produkteve blegtorale. Petraq Ceca shpreh me keqardhje neglizhencën e mjekëve grekë, të cilët nuk i kurojnë pacientët shqiptarë. Kjo është arsyeja pse ata vijnë në Shqipëri me simptoma shumë të rënda për jetën.
#