Asgjë nuk mund ta ndryshojë realitetin në Kosovë
Lideri i Partisë së Rimëkëmbjes Serbe (SPO) Vuk Drashkoviq nuk beson se janë të mundshme negociatat e reja për statusin e Kosovës. “çfarëdo opinioni që të miratojë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, as negociatat e reja për statusin, as çfarëdo nisme në Kombet e Bashkuara, nuk mund të ndryshojnë realitetin”, ka thënë Drashkoviq për shtypin e Beogradit. Një intervistë për gazetën "Danas", Drashkoviq ka porositur autoritetet e Serbisë që Beogradi dhe Prishtina patjetër duhet të bisedojnë, të vendosin marrëdhëniet më të mira të mundshme. Përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë duhet të bisedojnë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës. "Shtetet që e njohin Kosovën e pavarur do ta quajnë këtë marrëdhënie mes dy shteteve e ne do ta trajtojmë këtë si marrëdhënie brenda Republikës së Serbisë. Fjala është për dallime të mëdha terminologjike, pa konsekuenca praktike. Macja do të gjuajë minj, edhe pse ajo për dikë do të jetë e zezë, e për dikë tjetër e bardhë", vlerëson Drashkoviq. Drashkoviq thotë se sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është "krahinë brenda shtetit të Serbisë". As kjo dispozitë kushtetuese nuk është në gjendje që ta ndryshojë realitetin. Fajtor për këtë realitet është politika katastrofale e Slobodan Millosheviqit, thotë Drashkoviq. I pyetur nëse duhet ndryshuar kushtetutën e Serbisë, Drashkoviq tha se "dispozitat aktuale kushtetuese janë pranga për të ardhmen e Serbisë", dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e Kosovës, por ato duhet ndryshuar sepse janë kushte për integrimet evropiane.
#