E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia heq vizat për shqiptarët nga korriku në tetor

Ambasadori i Kroacisë takohet me Kryeministrin Berisha: Shenjë e marrëdhënieve të mira

Kroacia heq vizat për shqiptarët për periudhën 1 korrik-31 tetor 2010. Lajmi është bërë publik dje nga ambasadori kroat në Tiranë, Darko Javorski, i cili ia ka përcjellë në mënyrë zyrtare vendimin e fundit të qeverisë së Zagrebit, Kryeministrit Sali Berisha. Kërkesa e heqjes së vizave për Shqipërinë, gjatë sezonit turistik është bërë nga qeveria shqiptare. Heqja e vizave për periudhën katërmujore gjatë verës dhe vjeshtës për shqiptarët, komentohet nga ambasadori kroat si “një shprehje e marrëdhënieve të ngushta të partneritetit dhe miqësisë që ekzistojnë mes dy vendeve, të cilat u anëtarësuan së bashku në NATO dhe kanë ndërtuar një gamë të gjerë bashkëpunimi të shkëlqyer në të gjitha fushat në dobi të së mirës së ndërsjellë mes dy popujve”. Ndërkohë që ambasadori Javorski ka shprehur dëshirën që shqiptarët të marrin lajmin e mirë për lëvizjen pa viza në BE, Kryeministria shqiptare e interpreton vendimin e qeverisë kroate si një rezultat i rezultateve të larta të qeverisë shqiptare në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me BE. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka shtuar se kontrolli i kufijve dhe siguria e dokumenteve në Shqipëri është e standardeve më të larta në rajon. Në takim u theksua se vendimi për heqjen e vizave, për sezonin turistik, i cili u mor pas insistimit të qeverisë shqiptare, do t’i sjellë një shërbim të madh qytetarëve shqiptarë, që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Kroaci, apo të zhvillojnë aktivitete të ndryshme tregtare me Kroacinë. Por në veçanti, ai lehtëson jashtëzakonisht emigrantët shqiptarë që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri me familjet e tyre dhe u duhet për këtë të lëvizin transit përmes Kroacisë. “Ky vendim është një kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe një ndihmesë e çmuar për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në rajon”, tha Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›