E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruceloza, përfundon vaksinimi te të imtat, Janë kryer rreth 14 mijë vaksinime, ndërsa tek gjedhët vijon monitorimi

Shërbimi Veterinar në Qarkun Shkodër ka përfunduar fushatën e vaksinimit kundër brucelozës tek të imtat. Janë rreth 14 mijë vaksinime tek rimunantët e rinj.

“Është një sëmundje zoonotike, që do të thotë se transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe anasjelltas. Për këtë sëmundje ka një strategji të miratuar nga Ministria e Bujqësisë, të cilën ne e zbatojmë rregullisht, vit pas viti. Në momentin aktual, për sa i përket brucelozës së kafshëve të imta, ka përfunduar procesi i vaksinimit të kecave, sipas strategjisë”, u shpreh Mark Preci, Specialsit i veterinarisë.

Krahas vaksinimeve tek të imtat janë bërë edhe 650 kampionime qumështi tek gjedhet. Për vitin 2026 në qarkun e Shkodrës  nuk është evidentuar asnjë rast me brucelozë.

“Lidhur me brucelozën e gjedhëve, duhet të theksojmë faktin që ne kryejmë monitorimin nëpërmjet qumështit. Afërsisht, në nivel qarku, janë rreth 650 ferma që kanë një monitorim të trefishtë. Në rast se, nga ky monitorim, rezultojnë kafshë të dyshuara ose pozitive, atëherë, sipas strategjisë, ne organizojmë kampionimin dhe analizën me anë të gjakut. Për vitin 2026, nuk kemi pasur raste pozitive të kafshëve për brucelozën e gjedhëve”, tha ai.

Vaksinimi i bagëtive mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›