E Diel, 1 Nëntor 2026

Uljan Shpataraku sot para GJKKO-së, pritet vendimi për masën e sigurisë

Ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku, do të përballet sot me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurimit ndaj tij.

Shpataraku është arrestuar nga autoritetet, ndwrsa  drejtonte automjetin me të cilin udhëtonte Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga drejtësia.

Për këtë arsye, ndaj ish-zyrtarit rëndon dyshimi për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Prokuroria pritet të paraqesë para gjykatës kërkesën për masën e sigurimit, ndërsa Shpataraku do të njihet zyrtarisht me akuzat dhe do të paraqesë qëndrimin e tij.

Uljan Shpataraku ishte përjashtuar nga Policia disa javë më parë, ndërsa ndaj tij kishin nisur edhe procedurat për heqjen e lejes së armës që zotëronte për shkak të funksionit.

Gjatë këtyre procedurave, është zbuluar se Shpataraku mbante në banesën e tij edhe një numër të konsiderueshëm armësh private, të cilat rezultonin të ishin të pajisura me leje.

Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 shotganë dhe 2 pushkë, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›