E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapiteneria e Portit të Durrësit ndalon hyrjen “HANUMAN”, anija cisternë dyshohet se është pjesë e “Shadow Fleet” ruse

Kapiteneria e Portit të Durrësit ka ndaluar më 28 gusht hyrjen në radën e portit të anijes-cisternë “HANUMAN”, e cila lundron nën flamurin e Sierra Leones. Pas vendimit, anija ka vijuar lundrimin rreth 12 milje larg portit.

Anija është identifikuar nga GUR – Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës, si dhe nga shërbime partnere, si pjesë e të ashtuquajturës “Shadow Fleet” ruse, sipas informacionit të përditësuar më 10 qershor 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga GUR, cisterna dyshohet se është përfshirë në transportin e naftës dhe produkteve të naftës me origjinë ruse drejt vendeve të treta, në kuadër të skemave që synojnë anashkalimin e regjimit të embargos dhe kufirit të çmimit (Price Cap) të vendosur nga G7 dhe Bashkimi Evropian.

Në shtator 2025, “HANUMAN” dyshohet se transportoi më shumë se 30 mijë ton produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk, në Rusi, drejt Turqisë.

Sipas të njëjtave të dhëna, cisterna ka ndaluar në terminalin Sheskharis, në portin e Novorossiysk, një kompleks i rëndësishëm i transbordimit të produkteve të naftës dhe pikë e lidhur me tubacionet kryesore të JSC Chernomortransneft, kompani e vendosur nën sanksione të SHBA-së.

Vendimi i Kapitenerisë së Portit të Durrësit për të mos lejuar hyrjen e anijes në radë vjen në një kohë kur autoritetet ndërkombëtare po forcojnë kontrollet ndaj flotës së anijeve që dyshohet se përdoren për transportin dhe tregtimin e naftës ruse jashtë mekanizmave të sanksioneve dhe “Price Cap”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›