Bruksel, Berisha: Njihet roli bllokues i opozitës
Kryeministri Sali Berisha, nga Brukseli ku mori pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane tha se, tashmë nuk ka asnjëri në familjen e PPE-së që nuk e ka kuptuar se opozita është duke bllokuar proceset integruese të vendit.
Natyrisht, besoj se është e qartë dhe nuk di ndonjë njeri në familjen e Partive Popullore Evropiane që të mos ketë kuptuar me kohë se, njeriu që bërtet është edhe ai që vetbllokon. Kjo tani është evidente fare. Qëndrimi bllokator i tij është tashmë i njohur, jo vetëm nga qendra e djathtë, por nga të gjitha rrymat politike të Evropës.- u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit, Berisha nuk ka absolutisht asnjë pengesë përveç faktit se opozita shqiptare bllokoi për dy vite më radhë votimin e reformave evropiane dhe, sipas tij, nuk mund ti kërkohet kërkujt që të mbështesë statusin për Shqipërinë në një kohë kur partia kryesore opozitare, në një rast unik në Evropë, nuk voton reformat e drejta të kërkuara për procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian.
Ata që e konceptuan dhe e konceptojnë bllokimin si një mjet për të dëmtuar qeverinë dhe që dëmtojnë vendin e tyre, ata natyrisht do të kenë të gjitha përgjegjësitë para shqiptarëve- tha ai.
Berisha foli për mediat e pranishme edhe për reformën zgjedhore, për të cilën tha se, tryezë nuk do të thotë diktat por arsyetim dhe mirëkuptim.
Në fjalën e tij në Samit, kryeministri ka vlerësuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që të mbështetet iniciativa e Komisionit Evropian për studimin e fizibilitetit dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës, një vend me një rëndësi shumë të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Berisha ka vlerësuar si të drejtë dhe të rëndësishëm vendimin për statusin e Serbisë.